Beogradi do të ketë pushtetin demokratik, pa Vuçiçin, SPS-në, SRS-në, u ka thënë dje gazetarëve themeluesi i Partisë së Re, Zoran Zhivkoviq. Ndërkaq, Ivica Daçiq, ka thënë se partia e tij SPS, bashkë me SNS-në e Vuçiçit, do të ketë 50 për qindëshin në Beograd. Rezultatet e deritanishme tregojnë se partia e Vuçiqit është e para, por e vetme s’mund ta marrë drejtimin e kryeqytetit.
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi nuk sollën atje ndonjë ndryshim pushteti, por drama u zhvillua në zgjedhjet për qeverisjen e Beogradit.
Sipas rezultateve nga numërimi i 79 për qind të votave, lista e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka fituar 38.4 për qind të votave në Beograd, që i bie më së shumti. Por, SNS-ja e Vuciqit nuk do të mund ta udhëheqë vetë Beogradin dhe këtë e pranoi edhe lideri i saj mbrëmë, kur dolën rezultatet e para.
Nëse rezultati përkthehet me mandate, i bie që SNS ka 48 mandate nga 110 sa janë krejt në Asamblenë e Beograd.
Mbrëmë lideri i socialistëve, Daçiç, tha se është i sigurt se bashkë me partinë e Vuciçit e fitojnë shumicën në Beograd.
Në situatën aktuale, shkruan gazeta serbe “Danas”, partia e Vuçiçit dhe ajo e Daçiçit e kanë shumicën e mandateve Kuvendin e Beogradit, sepse bashkë pritet t’i kenë 56 mandate. Por, ka të ngjarë se nuk ka ndonjë alternativë tjetër për kombinime në qeverisjen e re.
Më përqindje, i bie që Vuçiq e Daciq i kanë 45.2 për qind.
Duke e ditur se dy partitë opozitare që kanë dalë më mirë me rezultat nuk do të qeverisnin me partinë e Vuciqit në kryeqytet, shpresat, sipas Danasit, janë te lista “NADA”, që ka marrë 6.3 për qind. Natyrisht nëse kjo listë pranon të hyjë në koalicionin me progresistët dhe socialistët.
Por, një zyrtar i lartë nga kjo listë ka thënë në një intervistë se pas zgjedhjeve janë të gatshëm për koalicion me dy kundërshtarët kryesorë të partisë së Vuçiqit në Beograd.
Mirëpo, opozita e kryesuar nga lista “Të bashkuar për fitoren e Beogradit”, që ka fituar 20.06 për qind dhe lista “Duhet”, që ka fituar 10 për qind, sipas rezultateve të deritanishme nuk ka mundësi të formimit të qeverisë, edhe nëse të gjitha partitë e vogla i bashkohen./Express