Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi në takimin në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, se do t’i propozohet qeverisë serbe, që të nxjerrë konkluzione për shkeljen e marrëveshjes për targat.
Vuçiç u shpreh se nëse Prishtina vazhdon të pengojë lirinë e lëvizjes së serbëve në Kosovë, Beogradi do të marrë masa arbitrare ndaj atyre që i kanë automjetet me targa RKS.
“Të kërkohet një përgjigje urgjente nga BE-ja dhe organet dhe institucionet e tjera ndërkombëtare në mënyrë që institucionet në Prishtinë menjëherë t’i japin fund shkeljes së marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lirinë e plotë të lëvizjes për serbët, automjetet e të cilëve përdorin targa të ligjshme dhe legjitime, targat e Republikës së Serbisë. Dhe asgjë nuk po kërkojmë më shumë se Prishtina të veprojë sipas marrëveshjeve nga dialogu, por edhe të gjitha dokumenteve tjera relevante juridike ndërkombëtare”, theksoi ai.
Sipas tij, ekipi negociator serb është i autorizuar që në përputhje me të drejtat e garantuara palës serbe me marrëveshjet e mëparshme për tabelat, të bëjë përpjekje shtesë për të gjetur një zgjidhje kompromisi për atë çështje.
“Në rast se ata e refuzojnë këtë zgjidhje kompromisi dhe vazhdojnë të pengojnë lirinë e lëvizjes së serbëve dhe qytetarëve të tjerë që përdorin targa legale dhe legjitime të Republikës së Serbisë, pala serbe do të hakmerret me masa të konsiderueshme dhe adekuate”, nënvizoi Vuçiç./abcnews.al