Nëse Kosova do të anëtarësohej në Interpol atëherë ajo do të përndiqte dhe do kërkonte arrestimin e pesë mijë serbëve, që dikur kanë luftuar kundër saj. Është ky shqetësimi më i fundit i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, të cilin ia shprehu homologut të tij austriak.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i kërkoi homologut të tij austriak që të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Kreu i shtetit serb deklaroi se pranimi i Kosovës në këtë organizatë do të hapte të paktën dy probleme. Sipas Vuçiç problem i parë do të ishte se shqiptarët nuk do të pranonin më të ishin pjesë e dialogut me palën serbe, por do të prisnin rrjedhimisht anëtarësimin në OSBE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Vuçiç u shpreh i shqetësuar se në këtë pikë Kosova nuk do të pranonte më kompromise e kështu dialogu do të mbeste në një pikë të vdekur.
Vuçiç paralajmëroi se anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të rriste numrin e fletë arresteve kundër 5 mijë serbëve që kanë marrë pjesë në konfliktin e vitit 1999. Ai tha se “këta njerëz nuk do të dinin nëse mund të udhëtojnë dhe në këtë mënyrë do të krijohen tensione në bazë ditore dhe konflikte të tjera. Për pranimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të Policisë do të votohet gjatë muajit nëntor në Dubai. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka deklaruar me parë se Perëndimi po bën të pamundurën që ky anëtarësim të realizohet./abcnews.al