“Vuçiç na kërkoi falje”, Kovaçevski qetëson maqedonasit pas deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes

schedule15:48 - 22 Gusht, 2023

schedule 15:48 - 22 Gusht, 2023

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç është i gatshëm t’i kërkojë falje popullit maqedonas nëse ndihet i ofenduar me ndonjë deklaratë nga Beogradi zyrtar.

Kështu njoftoi kryeministri i Maqedonisë së veriut, Dimitar Kovaçevski i cili shfrytëzoi darkën në Athine për të zhvilluar një takim kokë më kokë me Vuçiç, me të cilin diskutoi për deklaratën e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, i cili tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Beogradin me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ai më siguroi se si përfaqësues i shtetit serb, popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas i konsideron jashtëzakonisht miqësor dhe se nëse ndonjë qytetar maqedonas ofendohet nga ndonjë mesazh nga shteti serb, ai personalisht do të kërkojë falje”, thekson Kovaçevski.

Kërcënimi që u bëri Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ministri serb i mbrojtjes, kur deklaroi se vendimi i tyre për ta njohur Kosovën “do u vi boomerang ashtu “siç i ndodhi Ukrainës”, ka ngjallur reagime të shumta në Ballkanin Perëndimor sidomos në mesin e liderëve politikë.

Kryeministri Edi Rma i konsideroi kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit ndaj këtyre vendeve si të rrezikshme dhe të papranueshme. Rama theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit./ABCNEWS.AL