Në një konferencë të paparalajmëruar për shtyp, presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se kishte vetëm lajme të këqija në lidhje me Kosovën. Sipas tij Prishtina po merr vendime që përbëjnë rrezik në rajon.
“Na kanë vënë në cep. Dhe nuk e di se cfarë do të bëjmë në datën 15 dhjetor”. Ka qenë ky fillimi i deklaratës së papritur për mediat të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në orët e vona të së hënës, pasi komisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian Hahn u takua me liderët e politikës në Kosovë. Vuçiç shtoi më tej se kishte vetëm lajme të këqija. Lajmi i parë kishte të bënte me faktin se pavarësisht këmbënguljes së Hahn, Prishtina nuk ka ndërmend të tërheqë taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe. Lajmi i dytë lidhej me krijimin e ushtrisë së Kosovës në 14 dhjetor.
Vuçiç e cilësoi si totalisht të papërgjeshme sjelljen e Prishtinës, që sipas tij po sjell një rrezik ta pakonceptueshëm për rajonin. Por kreu i shtetit serb premtoi se do të mbronte interesat e vendit dhe paqen.
Mediat serbe raportuan gjerësisht për takimin e së hënës mes presidentit Vuçiç dhe komisionerit për zgjerim në Bashkimin Europian, Johanes Hahn. Sipas mediave, kreu i shtetit serb nuk ka pranuar ultimatumin për të bërë diçka në mënëyrë që Prishtina të kthehet sërish në tryezën e dialogut në Bruksel.
E përditshmja “Blic” shton se Vuçic në mënyrë të vendosur ka deklaruar se nuk ka kthim në bisedime deri sa të anulohet vendimi për taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe që hyjnë në Kosovë. Sipas Blic, Vuçiç këmbënguli dhe njëherë më shumë se deri në atë moment nuk do të ketë asnjë dialog.
Hahn nga ana e tij në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj u shpreh se taksat janë të papranueshme dhe se “Prishtina do të vuajë pasoja të rënda për shkak të tyre”. /abcnews.al