Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka pritur sot në takim Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe kreun e UNMIK-ut, Karolin Zijade.
Me Zijade, Vuçiç ka diskutuar për seancën e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të paraqitet një raport mbi punën e UNMIK-ut, qëndrimin e serbëve në Kosovë dhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Vuçiç tha se situata e sigurisë në Kosovë është komplekse dhe në këtë kontekst ai theksoi se e konsideron të rëndësishme që të ketë përgjigje në kohë dhe adekuate nga OKB-ja ndaj incidenteve të shumta, provokimeve dhe akteve të njëanshme të Kosovës që shkelin Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 dhe kërcënojnë të drejtat dhe sigurinë e serbëve.
“Një bisedë konstruktive me Karolin Zijade për të gjitha problemet, presionet dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë së serbëve në Kosovë nga regjimi i Kurtit, por edhe për mungesën e një reagimi adekuat nga bashkësia ndërkombëtare. E ritheksova se Serbia përpiqet të ruajë paqen në çdo mënyrë, për të siguruar një jetë më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe se në atë rrugë respektimi i dispozitave të OKB-së dhe vazhdimi i angazhimit të UNMIK-ut janë të një rëndësie thelbësore”, shkroi Vuçiç në Instagram./abcnews.al
View this post on Instagram