Vuçiç: Më mirë 100 vjet negociata me Kosovën se sa 1 ditë luftë

schedule17:57 - 10 Tetor, 2018

schedule 17:57 - 10 Tetor, 2018

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se mbështet paqen e në rastin e Kosovës do të zgjidhte 100 vjet negociata në vend të një dite luftë. Deklaratat i bëri gjatë një konference ndërfetare në Kazakistan, ndërsa mediat serbe kanë publikuar planin e ri të Beogardit zyrtar, për bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë deklaroi se është e rëndësishme të mbështetet paqja dhe se gjithnjë është mirë të negociosh për 100 vjet se sa të luftosh për një ditë.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në konferencën ndërfetare në Kazakistan, presidenti serb u tha gazetarëve se falenderonte homologun e tij kazak Nazarbajev për mbështetjen që i jep sovranitetit territorial të Serbisë, duke shtuar se të dy vendet do të përforcojnë marrëdhënien e tyre ekonomike.

Vuçiç gjithashtu falenderoi homologun e tij për qëndrimin e palëkundur në mbrojtjen e interesave serbe në lidhje me Kosovën.

Ndërkohë mediat serbe kanë publikuar planin e ri të Beogardit zyrtar për bisedimet e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një skenar të publikuar nga e përditshmja serbe “Kurir” tregohet në detaje se çfarë do të kërkojnë serbët nga evropianët në raundin e ri të bisedimeve. Aty theksohet garancia për Kishën Ortodokse Serbe, që sipas tyre, duhet ta ketë të drejtën e plotë mbi 44 objekte fetare.

Në tekst theksohet edhe çështja e zonës së veçantë për mbrojtjen e trashëgimisë serbe: Manastiret, Deçan, Graçanicë, Pejë, Patriarkana, Banjska si dhe  tempujt e tjerë të kishës në Gjilan, Shtërpcë, Skenderaj, Klinë, Rahovec.

Më tej përmendet edhe ura mesjetare e Vojinovicës në Vushtrri, monumenti në Gazimestan, qyteti mesjetar i Novobërdës si dhe fshati i Hoçës së Madhe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!