Vuçiç i shqetësuar: Kosova po armatoset në mënyrë të paligjshme

schedule12:55 - 25 Janar, 2024

schedule 12:55 - 25 Janar, 2024

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, akuzoi fuqitë perëndimore për armatosjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe opozitën e mediat pro opozitës në Serbi se janë në shërbim të këtyre fuqive.

Gjatë një veprimtarie në Beograd, ai tha se është duke menduar se “si të fillojnë hetime për armatosjen e të ashtuquajturës Forca e Sigurisë së Kosovës dhe atyre që po ndihmojnë në këtë armatosje, në kundërshtim me Rezolutën 1244. Dua të hetoj se kush e shkeli Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe si guxuan ta bëjnë atë … Po mendoj si të mos e sjell vendin në pozitë të vështirë dhe njëkohësisht të ruhet e drejta ndërkombëtare”, tha ai.

Më herët gjatë këtij muaji Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të raketave Javelin për Kosovën, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështeste synimet e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike në Evropë”, tha Departamentit të Shtetit, sipas të cilit shitja nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Presidenti serb i cili e kishte cilësuar njoftimin “një zhgënjim të madh për Serbinë”, sulmoi mediat pro opozitare dhe opozitën në Serbi se “nuk duan t’ia dinë çfarë po i bëjnë të huajt dhe shqiptarët Serbisë”.

“Juve ju intereson se si ta ndëshkoni Serbinë, sepse disa serbë deshën t’i mbronin vatrat e tyre”, tha presidenti serb i pyetur nga gazetarët për ngjarjet në fshatin Banjskë në veri të Kosovës me 24 shtator të vitit të kaluar, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.

Kosova e ka akuzuar Beogradin për organizmin dhe armatosjen e grupit, por Beogradi mohon të jetë përfshirë në të. Përgjegjësinë për sulmin e mori përsipër Milan Radoiçiç, ish nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës, e cila është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Incidenti qe vlerësuar nga më të rëndët që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 duke nxitur shqetësimin e diplomacisë perëndimore për qëndrueshmërinë në rajon dhe thirrjet për vënien e autorëve para drejtësisë.

Autoritetet në Serbi e ndaluan Milan Radoiçiçin disa ditë pas sulmit nën akuzën “bashkim me qëllim të kryerjes së veprave kriminale, prodhimit, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Por, ai u la më pas i lirë me kusht që të mos largohej nga Serbia, dhe iu ndalua të shkonte në Kosovë.

Pas sulmit të 24 shtatorit policia e Kosovës gjeti një sasi të madhe armësh në fshatin Banjskë.

Presidenti serb tha se pjesëtarët e grupit kanë kryer vepra penale dhe do të përgjigjen, por “kur shoh për çfarë armësh flitet… ata thonë se kishte pistoleta, pushkë, raketa-hedhës dore. Epo, prisni… keni sjellë ‘Javelin’ të gjitha ilegalisht… Dhe nuk përgjigjeni. Mund ta bëni. Jeni të mëdhenj e të fuqishëm dhe keni shërbëtorët tuaj këtu (në Serbi) nga ata politik deri te ata medial…”, tha presidenti serb.

Në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë rreth 5 mijë trupa paqeruajtëse në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë.

Numri i trupave të NATO-s u shtua pas 24 shtatorit mes shqetësimeve të perëndimit se Rusia mund të provojë destabilizimin e Ballkanit për të shpërqendruar vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Pas sulmit diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeverisë së Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

Beogradi ka theksuar se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës./ VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!