Në vizitën e tij të fundit në Moskë, presidenti serb Vuçiç, i ka kërkuar ndihmë liderit të Kremlinit Vladimir Putin për Kosovën. Dhe pse deklaratat për media ishin të kufizuara, Vuçiç u shpreh se Serbia kishte marrë çdo gjë që kishte kërkuar nga takimi.
“Morëm çdo gjë që kërkonim”. Me këtë fjali presidenti serb Aleksandër Vuçiç përmblodhi takimin e tij me liderin rus Vladimir Putin në Moskë. Kreu i shtetit serb theksoi se ata kishin rënë dakord për çdo temë të rëndësishme që u diskutua, për gjithçka. Por dhe pse i pyetur vazhdimisht nga gazetarët serbë dhe ata rusë, Vuçiç nuk dha asnjë detaj.
Por mediat ruse raportuan se Vuçiç kishte falenderuar presidentin rus për mbështetjen që i jep integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.
Vuçiç u shpreh se e vetmja gjë që priste nga ky takim ishte mbështetja e Rusisë, pasi kjo ka një rëndësi jetike për popullin e tij, e një mbështetje të tillë ai e mori.
Një nga pikat e tjera të rëndësishme ishte dhe marrëveshja për përforcimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike.
Por sigurisht që tema kryesore ka qenë pikërisht Kosovë për të cilën të dy presidentët kanë folur për 50 minuta. Vuçiç tha se i kishte bërë të qartë Putin se si ishte situatë aktuale në Kosovë, duke i dhënë dhe detajet më të vogla. Përfshirë këtu dhe atë që fuqitë e mëdha presin nga Beogradi, rolin e Rusisë dhe llojin e mbështetjes që pret Serbia.
I pyetur nëse kishte folur me presidentin rus dhe për idenë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, Vuçiç u shpreh se nuk mund të thoshte asgjë për këtë plan, përveçse që ishte refuzuar nga Shtetet e Bashkimit Europian, shqiptarët dhe serbët.
Kreu i shtetit rus shtoi se nuk mund të jepte më shumë informacione rreth bisedës me homologun rus, pasi nuk do të ishte e drejtë për presidentin Putin, por të dy kishin folur mjaftueshëm për të gjithë situatën në rajon.
“Nuk ka asnjë çështje të rëndësishme rajonale për të cilën nuk është folur, dhe jo vetëm kaq, por e analizuam në detaje. Tashmë unë pres që Putin të vizitojë Beogradin deri në fund të vitit, dhe që të ketë një rritje të menjëhershme të tregtisë mes dy vendeve tona”, theksoi Vuçiç.
Por presidenti serb tha se priste që Rusia të jepte një mbështetje dhe më të fortë për vendin e tij në forumet ndërkombëtare, për integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtës së saj për të vendosur në mënyrë të pavarur. Të drejta këto që bëjnë që Serbia të vlerësohet dhe të respektohet.
Ndërkohë që duket se tensioni mes Beogradit dhe Prishtinës është përshkallëzuar.
Vuçiç dhe Thaçi duhej të ishin takuar në Bruksel për të diskutuar rreth idesë të korrigjimit të kufijve, por takimi dështoi.
Të premten e 7 shtatorit presidentët e Serbisë dhe Kosovës refuzuan të takoheshin në Bruksel në atë që pritej të ishte një bisedë e ndërmjetësuar nga Federika Mogerini, përfaqësuesja e lartë për politika të jashtme në Bashkimin Europian – me qëllimin për të afruar të dy vendet dhe për të ngritur bazat për një anëtarësim të shpejtë të tyre në BE. Në këtë takim presidenti serb Vuçiç dhe ai kosovar Hashim Thaçi – duhej të kishin folur për një shkëmbim territoresh, temë e diskutuar disa ditë para këtij takimi në Austri, ku të dy ishin takuar e kishin biseduar për disa moment.
Vuçiç e Thaçi ndodheshin të dy në Bruksel por në fund vendosën të takonin ndarazi Mogerinin, duke evituar të takoheshin me njëri tjetrin. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se refuzimi erdhi pak para takimit tri palësh, dhe ishin të dy presidentët që nuk dëshironin të takoheshin. Ndërsa agjencia Politiko, gjithnjë e mirëinformuar për çështje europiane, raportoi se kishte qenë Vuçiç i pari që s’kishte pranuar një takim me Thaçin.
Kjo sepse Kosova nuk kishte pranuar që në vizitën e presidentit serb atje, Vuçiç të vizitonte disa nga zonat e vendit. Por presidenti i Kosovës tha se nuk ishte në dijeni të kësaj situate.
Vendosja për diskutim e temës për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, ndodh sepse pas luftës, kufijtë mes dy vendeve nuk pasqyrojnë më së mirë mazhorancat etnike të dy vendeve. Në territorin kosovar ka zona me mazhorancë etnike serbe dhe në atë serb ka mazhorancë etnike shqiptare. Sipas disa analistëve ndërkombëtarë, është një fakt pozitiv, që dy vendet – formalisht në luftë deri dhjetë vjet më parë – kanë nisur bisedimet mes tyre. Të dy vendet gjithashtu synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, dhe për të arritur këtë duhet që arrijnë një marrëveshje paqësore dhe të presin në kufijtë e tyre komunitetet etnike respektive. Një sinjal pjekurie ky që Bashkimi Europian ka kohë që e pret sidomos nga Serbia
Por analistë të tjerë mendojnë se negociatat e në mënyrë të vecantë dështimi i tyre – mund të kenë një efekt domino dhe të shkaktojnë një fazë të re paqëndrueshmërie në të gjithë rajonin, duke vënë në diskutim ekuilibrat e rigjetur vitet e fundit. “Reuters” shkruan se një shkëmbim i mundshëm territoresh u prit keq dhe një nga kundërshtarët ndërkombëtare më të fortë i këtij plani është Gjermania.
Ka arsye të forta historike për të cilat në Ballkan do të ketë gjithnjë njerëz që do të gjenden në anën e gabuar të kufirit. Përfundimi ideal i negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të sjellë dhe njohjen e Kosovës nga Serbia, por nga ajo që ndodhi herën e fundit në Bruksel, ky objektiv është ende shumë larg.
Pasi është takuar me Vuçiç e Thaçin, Mogerini dha një deklaratë të shkurtër për shtyp ku shpjegonte se vijon të ketë vështirësi por ajo ka besim në impenjimin e të dy presidentëve se do të arrijnë një marrëveshje muajt në vijim. Një marrëveshje ligjore për një normalizim të përgjithshëm të marrëdhënieve në harmoni me ligjet ndërkombëtare. Për sa i përket takimit të dështuar. Presidenti i Kosovës Thaçi u shpreh se ka shumë qëndrime të ndryshme, ndaj u vendos që ishte më mirë të mos takohej me Vuçiç. Kjo për të mos prishur atë që ishte arritur deri tani.
Uinston Çërçill shprehej se në Ballkan njerëzit prodhojnë më shumë histori nga sa mund të tresin. E në fakt vendet ballkanike që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian kohët e fundit shohin perspektivën e tyre në një kënd shumë të vështirë.
Është në këtë atmosferë që Serbia dhe Kosova po negociojnë për shkëmbim territoresh në një marrëveshje që mund të ishte historike. E destinuar për të vendosur një paqe mes dy vendeve në konflikt prej kohësh.
Serbët do të jepnin një pjesë të territorit në jug të Serbisë që përfshin Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanovcin, ndërsa Kosova do të hiqte dorë nga veriu i Mitrovicës.
Ndërkaq presidenti rus Vladimir Putin pritet të vizitojë Serbinë në fund të muajit tetor, ose në fillim të nëntorit.
Një delegacion i madh rus do mbërrijë në Beograd para Putin, i përbërë nga qindra zyrtarë të qeverisë dhe biznesmenë rusë. Lajmi u konfirmua nga amabasadori rus në Serbi Aleksandër Çepurin. Ky i fundit tha se mes dy vendeve ka marrëdhënie shumë të mira por që duhen përmirësuar dhe më tej.
Kremlini nuk ka konfirmuar ende datën e saktë të vizitës, por Putin në vizitën e tij të katërt në Serbi mund të jetë në Beograd për paradën ushtarake që shënon 100 vjetorin e fitores në Luftën e parë Botërore. Parada do të zhvillohet në 1 nëntor.
Serbia planifikon që të tregojë armët e reja të prodhimit vendas dhe të huaj si dhe avionët MIG-29 që mori një vit më parë në formë dhurate nga Rusia. Parade do të përfshijë qindra tanke dhe automjete lufte e hedhëse raketash. Por dhe sisteme mbrojtëse tokë – ajër të marra nga Biellorusia do tëjenë pjesë e paradës. Përvec bashkëpunimit ushtarak – teknik, dy liderët do të flasin dhe për marrëveshje në fushën e energjisë dhe ekonomisë.
Për herë të parë Putin vizitoi Serbinë në vitin 2001 kur u takua me ish presidentin Vojislav Koshtunica. Më pas një dekadë më vonë ai u ndodh në Beograd ku u takua me presidentin e atëhershëm Boris Tadic. Presidenti rus mbajti një fjalim para deputetëve në parlamentin serb, dhe vizitoi stadiumin “Ylli i Kuq”. Në vitin 2014 lideri i Kremlinit ishte i ftuar në paradën ushtarake “Hapi i Fitimtarit” në nder të clirimit të Beogradit në Luftën e dytë botërore.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u duk i habitur kur priti në aeroport një dhuratë të sapoardhur nga Kremlini: avionë luftarakë të epokës sovjetike, sipas standardeve ruse, por që për aleatin ballkanik me vetëm pak aeroplanë, janë një thesar.
“Pothuajse më dolën lotët kur i pashë”, tha Vuçiç në gusht.
Këto dhurata erdhën më një çmim: 209 milionë dollarë për riparimet, por që sërish do të paguhen nga vetë Rusia.
Dhurimi i avionëve është pjesë e strategjisë ruse në Serbi dhe në pjesën më të madhe të botës. Kremlini ka ndërtuar një fushatë metodike, por me kosto të ulët, e cila synon të marrë përfitimet.
Rusia dhe Perëndimi janë të angazhuar në një betejë të ashpër për aleancën e Serbisë, një komb i rëndësishëm ballkanik që ka deklaruar dëshirën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por gjithashtu e konsideron Rusinë si vend aleat.
Ndërsa Perëndimi po shpenzon më shumë para kesh – në rastin e Evropës rreth 11.8 miliardë dollarë në vitin 2016 – prania e Rusisë në Serbi është shumë më e thellë. Ndër vite, Kremlini është shfaqur ekspert në gjetjen e mënyrave për të tërhequr miq dhe publicitet të mirë me çmime të volitshme. Dhe duke u bërë thirrje serbëve të zakonshëm, Rusia ka fituar më shumë mbështetje sesa do të kishte arritur thjesht duke përdorur udhëheqësit serbë.
Rusia ka ndërtuar një qendër ndihme urgjente, që i gjendet Serbisë sa herë ka zjarre dhe përmbytje, por zyrtarët perëndimorë dyshojnë se në të vërtetë ajo është një qendër spiunazhi. Kjo qendër ka aleatë në radhët e një grupi serb, që është i lidhur ngushtë me Putin dhe që ndihmoi Rusinë t’i merrte Krimenë Ukrainës në vitin 2014. Mediat shtetërore ruse transmetuan raporte në gjuhën serbe, siç është ajo që sugjeron se NATO dhe Shteti Islamik po komplotonin së bashku për të përhapur kaos në Kupën e Botës.
Megjithëse Rusia e vë theksin te lidhjet e saj të forta me Serbinë, të çimentuara nga trashëgimia e përbashkët ortodokse dhe sllave, kjo “lustër” dominon vetëm pjesën më të madhe të shekullit të XX. Marrëdhëniet e dy vendeve u ftohën pasi udhëheqësi i epokës komuniste të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, u prish me Bashkimin Sovjetik më 1948. Gjatë përplasjeve etnike dhe bombardimeve të NATO-s në Ballkan në vitet fund të viteve ‘90, Rusia u tërhoq mënjanë kryesisht për shkak të trazirave të saj të brendshme. Vetëm në fillim të mijëvjeçarit, kur Rusia e mbështeti Serbinë duke kundërshtuar me përpjekjet e Kosovës për pavarësi, marrëdhëniet filluan të ngroheshin përsëri.
Pasqyrimi plot shkëlqim i Rusisë gjen vend në tabloidët e Serbisë, falë buletineve në gjuhën serbe, por edhe nga agjencia e lajmeve ruse e Sputnik, e cila u hap në Beograd në 2015-n.
Vetë serbët nuk e shohin këtë si ndërhyrje e huaj.
Flamuri rus shihet gjithandej në autostradat serbe, në tabelat e sponsorizuara nga kompania energjetike e Rusisë, “Gazprom”. Shumë prej këtyre rrugëve janë paguar me fondet e BE-së, por flamuri i saj blu zbret poshtë dhe ia lë vendin atij rus, sapo rrugët përfundojnë së ndërtuari.
Rusia dominon tregun e naftës dhe të gazit natyror të Serbisë, një pjesë e ekonomisë së përgjithshme, por një aspekt kyç për sigurinë e vendit. Serbia importon 75 për qind të gazit natyror nga Rusia. Që nga viti 2008, Moska ka kontrolluar prodhimin vendas, gjithashtu, pasi kompania energjetike e Serbisë u shit te “Gazprom” për një çmim të volitshëm. Fitimet shkojnë në favor të ndikimit të Rusisë.
Rusia gjithashtu ka një prani të fortë në kishë. Shumë priftërinj ortodoksë serbë shpesh takohen me udhëheqës të lartë politikë rusë. Në predikimet e tyre, ata e vënë theksin te trashëgimia e përbashkët fetare dhe falënderojnë Kremlinin për përpjekjen për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën kisha serbe e konsideron shtëpinë e saj prej brezash. Ndërtimi i një kishe ortodokse në një stil rus në veriperëndim të Beogradit mblodhi dhjetëra mijëra dollarë në donacione pasi u quajt “kisha e Putinit”.
Shenjat e para të suksesit të strategjisë ruse janë dhënë: Shumë serbë gabimisht besojnë se Rusia është partneri i tyre më i madh për tregti dhe një ndihmë e madhe në ushtri, sipas sondazheve të kryera në vend.
Në fakt, 65 për qind e tregtisë së vendit është me BE-në, ndërsa vetëm 6.7 përqind bëhet me Rusinë. Ushtarët serbë janë trajnuar më shumë se 20 herë vitin e kaluar me anëtarët e NATO-s, krahasuar me dy herë me homologët rusë. BE dhe shtetet anëtare ofruan më shumë se 600 milionë dollarë ndihma për Serbinë në vitin 2016, 50 herë më shumë se Kremlini. /abcnews.al
Gazetare: Dorina Kurtaj