Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Gjermania po udhëheq fushatë të ashpër për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Vuçiç e ka pranuar se është e vështirë ta kundërshtojë fushatën gjermane për Kosovën, por ka thënë se i takon Serbisë të luftojë.
“Ata [Kosova] do të kenë nga 29 deri në 33 vota dhe u duhet një shumicë prej 31 (për pranimin e Kosovës), kështu që çdo gjë është në kufi”, ka thënë Vuçiç të mërkurën në hapjen e punimeve për stadiumin e ri kombëtar në Beograd, transmeton “N1”.
Duke folur për negociatat, ai ka deklaruar se Prishtina po sillet “në mënyrë të pamatur”.
“Prishtina mori vendim të kundërligjshëm dhe të gjithë pajtohen se ishte vendim brutal për ndalimin e dinarit. Dhe pastaj ju ftojnë në bisedime dhe të pranoni të gjitha postulatet që Prishtina tashmë i ka zbatuar. Nëse nuk e pranoni me gjithë zemër, atëherë thonë se të dyja palët nuk ishin të gatshme për kompromis”, ka thënë Vuçiç.
Ai ka deklaruar se Beogradi është në kërkim të zgjidhjes se si do t’i paguajë pagat dhe pensionet serbëve në Kosovë dhe vlerësoi se “nuk mund të ketë marrëveshje për ndalimin e dinarit sepse është veprim i kundërligjshëm i Prishtinës”.
Presidenti serb ka thënë se faji nuk është vetëm i Kosovës, por edhe tek ata “që garantuan Marrëveshjen e Brukselit”.
Këshilli i Ministrave do ta mbajë mbledhjen më 16 maj, ku Kosova shpreson të ketë votat e mjaftueshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës.