Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ftuar protestuesit në një debat publik. Ai e bëri ftesën publike përmes një videoje në ‘Instagram’.
“Së pari protestat u paraqitën si kërkesa për drejtësi, e më pas hapur filluan të flasin për ndryshime politike dhe për kërkesa për zgjedhje, edhe pse më parë i mohonin. Pavarësisht gjithçkaje të keqe që mendoj për kërkesat e tyre, besoj se është shumë e rëndësishme të dëgjojmë njëri-tjetrin. Mendoj se është me rëndësi vendimtare që të rifillojmë dialogun në Serbinë tonë”, tha Vuçiç.
Studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit iu përgjigjën thirrjes së Vuçiçit, duke thënë se me presidentin e Serbisë do të bisedojnë vetëm kur ai të shpallë zgjedhje të reja.
“Është e qartë se nuk ka përgjigje ndaj revoltës së popullit, prandaj tani do të flasë me ne, të cilët prej muajsh na quan terroristë. Për vizionet dhe programet për të ardhmen do të debatojmë gjatë fushatës parazgjedhore, kur të shpallë zgjedhje”, thanë studentët.
Në Serbi, për më shumë se nëntë muaj po mbahen protesta, ku kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave në shembjen e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Studentët, që udhëheqin protestat, i konsiderojnë zgjedhjet e reja si hap të pashmangshëm, pasi “shteti nuk ka bërë asgjë lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë” në Novi Sad.
Ndërkohë, pushteti në Serbi ka refuzuar që të shpallë zgjedhje të parakohshme.
/abcnews.al/

