Vuçiç: Do të aplikojmë burgimin e përjetshëm

schedule20:35 - 12 Janar, 2019

schedule 20:35 - 12 Janar, 2019

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç deklaroi se në vend do të aplikohet shumë shpejt dënimi me burgim të përjetshëm. Kjo masë sipas tij do të ndërmerret që askujt të mos i shkojë ndër mend të kryejë krime.

Serbia do të jetë shteti i parë që do të ketë burgim të përjetshëm në Ballkan. Këto vendime do të nisin të zbatohen së shpejti pas ndryshimeve ligjore. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare, nuk ka dashur të flasë shumë për Kosovën, por për forcimin e masave për kategori të ndryshme krimesh. Vuçiç ka theksuar se dënimet janë të vogla dhe do të bëj reforma për të ashpërsuar masat.

“Do ta fshijmë kufirin maksimal dhe do ta kthejmë instituin e burgut të përjetshëm dhe kjo do të përfshijë për vrasje të shumëfishta, vrasës të fëmijëve dhe vepra të tjera penale”.

I pari i Serbisë ka thënë se nuk e interesojnë shumë kritikat e mundshme dhe të drejtat e njeriut pasi kjo është në përputhje me standardet evropiane pasi një masë të tillë e ka edhe Gjermania dhe vende të tjera. Kjo është e nevojshme për ta ruajtur të ardhmen e Serbisë.

“Pres mbështetje nga Bashkimi Evropian. Përse ka Gjermania burg të përjetshëm dhe vetëm ne në Ballkan nuk e kemi një gjë të tillë. Nuk ka Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia e këto vende. Duam të kemi një masë të mos i bie ndërmend askujt të bëj krime”.

Një ditë më parë policia serbe arrestoi rreth 150 persona të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsion. Vuçiç në konferencë doli me ministren e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme dhe kryeministren për ta bërë vetë të ditur lajmin e burgut të përjetshëm. Deri më tani dënimi më i madh është 40 vjet heqje lirie./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!