Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka thënë se “një krizë e madhe pritet në veri të Kosovës”, pas zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat në veri të vendit. Kjo pasi siç ka thënë ai, në takimin e 2 majit në Bruksel, Kosovës iu kërkua që të djegë mandatet e kryetarëve të sapozgjedhur në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviç dhe në Zveçan.
“Kurti refuzoi, kishte një propozim për të bërë një zgjidhje të përkohshme në të cilën ata nuk do të merrnin zyrat e tyre më 28 maj sepse sigurisht që do të sjellë trazira dhe probleme, mendova se ishte një mundësi ideale që Kurti të dilte nga turpi i madh në të cilin e ka futur veten, pastaj kuptova se ishte në të vërtetë një plan, që ai edhe pse thotë se nuk është entuziast për këtë, ai është thelbësisht entuziast dhe e sheh si mundësinë më të mirë për t’i dëbuar serbët nga veriu i Kosovës“, tha ai.
Në një konferencë para gazetarëve, mbrëmjen e së mërkurës Vuçiq vazhdoi propagandën e tij në dëm të Kosovës, duke thënë se kryeministri Albin Kurti mendon të qeverisë me 3.4 përqind, dhe gjoja “në dëm të serbëve”.
Ai as këtë herë nuk la pa përmendur dhe akuzuar edhe ndërkombëtarët, për të cilët tha se “po e mbështesin kryeministrin e Kosovës në përpjekje për të thyer rezistencën serbe”.
Sa i përket takimit të 2 majit në Bruksel, Vuçiç pretendoi se ndërkombëtarët kanë tentuar ta fusin në “kurth”, duke e bërë që ta njohë shtetin e Kosovës./KosovaPress