Mjekja nutricioniste në “Spitalin Amerikan”, Albana Daka ndau disa këshilla për personat që vuajnë nga refluksi. Doktoresha tha se “çelësi” për trajtimin e kësaj sëmundjeje qëndron tek menaxhimi i regjimit ushqimor dhe nuk duhet të kalojmë direkt tek medikamentet anti acide.
“Ushqime me sasi të lartë fibrash, e nisim që nga brumrat siç janë orizi integral, tërshëra, kuskusi dhe buka integrale. Perimet me rrënjë si panxhari, patatja e ëmbël, karrota, brokoli, asparagu, bishtajoret jeshile dhe ato që quhen perime dhe fruta me sasi të lartë lëngjesh si shalqini, pjepri, selinoja. Limoni është acid por uji i ngrohtë me pak limon dhe mjaltë e minimizon refluksin, qumështi por jo me sasi të lartë yndyre.”, tha Daka.
Mjekja shtoi gjithashtu se orari i ngrënies së darkës është gjithashtu i rëndësishëm. Nutricionistja theksoi se personat që vuajnë nga refluksi duhet të flenë me shpinë dhe shpatulla në një pozicion më të lartë për të shmangur kthimin e lëngjeve drejt ezofagut.
“Për të gjithë njerëzit që vakti i darkës nuk duhet të kalojë orën 7 e gjysmë deri në 8 sepse organizimi ka një ritëm të metabolizmit dhe kur kjo orë kalon, kur metabolizmi ngadalësohet fuqishëm bën që ushqimet të ngelin në “trastën” e traktit tretës dhe si rezultat që stomaku nuk i tret dot sepse ritmi i punës së tij ka rënë, fillon dhe stimulon prodhim të lëngjeve gastrike dhe stimulohet kthimi i tyre mbrapsht në ezofag.”, tregoi Daka. /abcnews.al