Vuani nga psoriaza? Disa këshilla për ta mbajtur nën kontroll

schedule11:05 - 7 Korrik, 2021

schedule 11:05 - 7 Korrik, 2021

Ekspertja e biokozmetikës, Klea Mustafa ndau disa këshilla në studion e “Abc-së së mëngjesit” për trajtimin e psoriazës, një sëmundje që prek lëkurën që mund të mbahet nën kontroll me medikamente. Zonat e prekura nga kjo patologji zakonisht janë të kuqe, në të cilat shfaqet ndjesia e kruajtjes.

Klea shpjegoi se kjo sëmundje shkaktohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm mjedisorë si pluhuri, djersitja apo përdorimi i kremrave të ndryshme. Prek të gjitha grupmoshat por është evidente gjithashtu dhe tek personat me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese si diabeti, sindromi metabolik. Si ta trajtojmë?

“Ka disa hapa specifikë që mund t’i ndjekim për ta trajtuar dhe mbajtur nën kontroll këtë sëmundje. Nuk duhen përdorur shampot me përmbajtje silikoni por të kenë ekstrakte kamomili apo menteje. Përsa i përket sëmundjet në lëkurën e trupit dhe jo në kokë duhet të përdoren produkte me përmbajtje të dullit të bletës apo vajit të ullirit. Mund të përdorim banja me kripë pasi pastron lëkurën dhe qelizat e vdekura.

Mund të përdorim gjithashtu herë pas here banja me qumësht, duke shtuar në vaskë me ujë të ngrohtë një tas me qumësht dhe dy lugë mjaltë. Qumështi ka acid laktik dhe zhvesh shtresën e dëmtuar të lëkurës. Është e rëndësishme gjithashtu t’i mbrojmë zonat e prekura nga kjo sëmundje nga dielli për të mos krijuar shenja.”, theksoi ekspertja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!