Enver Hoxha njihet si një ndër diktatorët më gjakatarë të Europës Lindore gjatë Luftës së Ftohtë, periudhë në të cilën në Shqipëri u ekzekutuan apo vdiqën në burgje e kampe internimi mijëra shqiptarë.
Në fillimet e vendosjes së regjimit në Shqipëri, komunistëve iu desh që të eliminonin kundërshtarët politikë si edhe klerin përmes metodave të terrorit që parashikonin ekzekutimin e tyre me togë pushkatimi.
Përgjatë dy viteve të para, ka disa dokumente që vërtetojnë se urdhrat e pushkatimit të kundërshtarëve janë dhënë direkt nga Enver Hoxha me shkrim. Në një dokument, që mban datën 2 mars 1946, të gjetur nga studiuesi Hasan Bello, vetë Hoxha urdhëron ekzekutimin me pushkatim të gjashtë personave në Shkodër.
Madje, në letër Hoxha shkruan se pasi t’i pushkatojnë, duhet që t’i sjellin atij me telegram edhe se çfarë kanë qenë fjalët e tyre të fundit, pak para vrasjes.
Kjo shkresë është unike pasi më vonë Hoxha nuk rezulton të ketë dhënë urdhër me shkrim për pushkatim të kundërshtarëve, sepse sipas Bellos u sofistikua për të mos lenë gjurmë. Urdhrat sërish jepeshin prej tij, por gojarisht dhe më pas çdo gjë ekzekutohej nga Sigurimi i Shtetit.
“Një shkresë që ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha ia dergon Gjykatës Ushtarake në Shkodër më 2 mars 1946 ku aprovon dënimin me vdekje të 6 personave dhe 1 burgim të perjetshem.
Tre nga këta janë klerikë të njohur katolike, njeri prej të cileve, Pater Giovanni Fausti nga Breshia e Italisë.
Në fakt, ky dokument dhe pak të tjerë janë të rrallë ku diktatori ka firmosur, sepse me kalimin e kohës, ai do të sofistikohet duke dhënë urdhra verbalë për të fshehur implikimin e tij të drejtpërdrejtë.
Por nuk ka patur ekzekutim, për të cilin, sic ndodh rëndom në çdo vend, kryetari i shtetit nuk ka dhënë miratimin e tij personal”, shkruan Bello. /abcnews.al