Vritet më armë gazetari rus: U qëllua disa herë në kurriz

schedule08:58 - 30 Maj, 2018

schedule 08:58 - 30 Maj, 2018

Një gazetar rus ka vdekur pasi është qëlluar me armë në Kiev.

Sipas autoriteteve ukrainase, Arkady Babchenko, 41 vjeç, u gjet i gjakosur pranë shtëpisë së tij nga bashkëshortja, por mësohet se vdiq në ambulancë teksa transportohej për ndihmë mjekësore.

Babchenko ishte shprehur më parë se kishte marrë shumë kërcënime me vdekje pasi kishte raportuar për një avion ushtarak rus të rrëzuar në 2016-n. Kjo gjë e kishte detyruar edhe të largohej prej vendit të tij.

Fillimisht, 41-vjeçari u zhvendos në kryeqytetin e Çekisë, Pragë, ndërsa më vonë në Kiev. Ai njihej si kritik i Kremlinit.

Babchenko kishte punuar si korrespondent lufte, ndërsa në Kiev punonte si prezantues në televizionin ATR TV.

Ndërkohë, policia ukrainase konfirmoi për BBC se gazetari është qëlluar disa herë në kurriz. Shefi i policisë së Kievit, Andriy Kryshchenko, u tha mediave lokale se Babchenko u vra për shkak të aktivitetit të tij profesional.

Megjithatë autoritetet po hetojnë për të zbuluar misteret që qëndrojnë prapa vrasjes së gazetarit rus./abcnews.al