Kryepolici Skënder Hita ka folur nga Spitali i Traumës në kryeqytet, lidhur me ngjarjen e rëndë në Lozhan të Maliqit, ku një efektiv i “Shqiponjave” u vra, dhe një tjetër u plagos gjatë operacionit për kapjen e një personi në kërkim.
Polici i plagosur, Edison Adri mbërriti te Trauma, pasi u transportua me helikopter.
Hita e cilësoi ngjarjen e rëndë, teksa shtoi se Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj, efektivin Enea Mekolli, i cili ishte në shërbim të qytetarëve.
“Policia e Shtetit humbi shërbëtorin e saj, në shërbim të qytetarëve. Edhe një punonjës policie është i plagosur rëndë dhe po merr ndihmë mjekësore. Edhe personi në kërkim gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos dhe është në spitalin e Korçës. Është vërtet një ngjarje nga ato të cilat të lënë pa fjalë, ku nuk do doja të isha para jush. Hetimet kanë filluar, i kam autorizuar të nisen drejt Korçës. Do largohem drejt Korçës dhe do keni njoftim më zyrtar”, tha Hita./abcnews.al


