Giacomo Vrioni është padyshim një nga sulmuesit më të mirë shqiptarë dhe këtë gjë e ka treguar me golat e tij në kampionatin austriak, plot 19 gola në një sezon.
Ai është grumbulluar nga Edy Reja dhe ka folur sot në konferencën për shtyp. Bomberi i kombëtares sonë shpreson që ta ketë këtë vazhdimësi edhe me kombëtaren dhe ai ka vetëm një objektiv, Shqipëria të renditet e para në grup dhe me pikë të plota.
“E dimë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Por e dimë që janë në nivelin tonë dhe sigurisht do të luajmë për të marrë tre pikët në çdo ndeshje dhe për të arritur në vendin e parë. Atmosfera është shumë e mirë, unë erdha vetëm dje por atmosfera është shumë e mirë dhe jemi të përqendruar në këtë ndeshje.
Titullar? Atë e di trajneri. Unë di që do të vazhdoj të punoj dhe ndonëse kalova një sezon të rëndësishëm, zgjedhjet i bën trajneri pastaj.
Rekordi i Salihit? Nëse trajneri më jep mundësinë, është normale që si çdo sulmues të kërkoj golat. Atëherë do ta provoj ta kaloj edhe në kombëtare, sigurisht.
Rivaliteti në sulm? E vështirë është kudo se kudo ka sulmues. Por këtu në kombëtare është normale se vijnë lojtarë të fortë, që janë më në formë. Është normale, por ne duhet të mendojmë vetëm të bëjmë mirë në stërvitje dhe pastaj zgjedhjet i bën trajneri.
Reparti më i fortë? Të gjithë repartet sipas meje, se të gjithë luajnë në Europë, të gjithë po luajmë. Ka lojtarë që luajnë në Ligën e Kampioneve, në Ligën e Europës, Kumbulla fitoi Ligën e Konferencës dhe të gjithë repartet janë të rëndësishëm në kombëtare. Pika më e fortë e ekipit është grupi.
Kur luan në Ligën e Kombeve nuk ka ekipe më të forta, janë të gjithë në nivelin tonë dhe do mundohemi të marrim tre pikët në Islandë dhe këtu me Izraelin.
E ardhmja? Akoma nuk kam folur gjëra konkrete. Se jam përqendruar me kombëtaren. Kur të mbaroj me kombëtaren do të flasim se çfarë do të bëjmë pas këtij viti”, tha Vrioni para mediave./ h.ll/abcnews.al