Autoritetet maqedonase kanë hedhur dritë mbi ekzekutimin e një familjeje shqiptare me banim në Itali, që kishte shkuar në Dibër të Madhe për të kaluar pushimet. Hetuesit kanë vënë në pranga vajzën e madhe të familjes Poçesta, e cila dyshohet ta ketë kryer krimin për të marrë pasurinë e familjes.
Kishin shkuar për pushime në atdhe, por gjetën vdekjen. Dy prindër dhe vajza e vogël u ekzekutuan në mënyrë të pamëshirshme natën e një jave më parë në Dibër të Madhe.
Viktimat ishin anëtarët e një familjeje shqiptare nga Maqedonia, prej kohësh me banim në Trevizo të Italisë. Pas një javë hetime, policia maqedonase ka mundur të hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë duke vënë në pranga përgjegjësin, që është as më shumë e as më pak vajza e madhe e familjes, Blerta Poçesta.
Ministria e Brendshme maqedonase ka konfirmuar lajmin përmes një komunikate për shtyp, ku saktësohet se në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorë të vajzës. Bëhet fjalë për dy persona të moshave 31 dhe 61 vjeç, banues në qytetet e Gostivarit dhe Debarit, që kanë patur role të ndryshme në organizimin e vrasjes së trefishtë.
Viktimat, Hamit, Nazmie dhe vajza 14 vjeçe Anila Poçesta kishin shkuar në Maqedoni për të marrë pjesë në dasmën e një të afërmi. Të tre ata u ekzekutuan gjatë orëve të natës, teksa ishin në gjumë dhe menjëherë më pas, Blerta ka marrë motrën tjetër më të vogël dhe është nisur me shpejtësi drejt Italisë për të fshehur gjurmët e saj.
Por pas qarkullimit të lajmit në media, 28-vjeçarja ka ndërruar destinacion duke devijuar për në qytetin e Debarit, ku dhe është arrestuar. Ndërkohë, dy personat e tjerë kanë ndihmuar njëri në gjetjen e armës së masakrës dhe tjetri në përgatitjen e arratisjes së vajzës.
Arrestimi është konfirmuar edhe nga nipi i familjes Poçesta, Amir Findo, sipas të cilit 28-vjeçarja ka pranuar krimin dhe ndodhet në qeli. Mbi Berta Poçestën rëndojnë prova të shumta, përfshirë një foto që e tregon atë në Maqedoni ditën e krimit, rrethanë që bie ndesh me deklaratën e saj të mëparshme, se ditën e vrasjes ndodhej në Itali.
Të tre të arrestuarit janë marrë tashmë në pyetje nga prokurori, ndërkohë që një gjyqtar ka vendosur masën e arrestit për 48 orë. Nga hetimet dyshohet që krimi të ketë ndodhur për motive familjare, konkretisht për të përvetësuar pasurinë e familjes.
Fillimisht për ngjarjen u dyshua Rasim Findo, kunat i Hamit Poçestës për shkak të diskutimeve mbi një sipërfaqe toke. I marrë në pyetje, Findo kishte deklaruar se mes dy familjeve kishte pasur diskutime për ndarjen e terrenit, por jo kontraste./abcnews.al