Vrau shokun, autorit iu gjet pajisje që prodhon bitcoin, eksperti në ABC: Ka boshllëk, ligji s’i ndalon

schedule20:06 - 11 Maj, 2021

schedule 20:06 - 11 Maj, 2021

Vrasja që ndodhi mbrëmjen e së hënës tek rruga “5 Maji” në kryeqytet zbuloi prodhimin e bitcoin në një banesë në atë zonë.

Gjatë orëve të mbrëmjes së të hënës policia zhvilloi kontrolle të imtësishme në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe në katin e dytë të godinës u gjet një makineri që prodhon monedhën virtuale.

Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, Artan Dashi nga Departamenti i Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit tha se në Kodin Penal, prodhimi i monedhës nuk është as i lejuar, por as edhe i ndaluar. Pra në këtë rast kemi një boshllëk ligjor.

Dashi tha se ky lloj aktiviteti nuk është gjë e re për policët në terren pasi prej tre vitesh ata trajnohen nga Europol dhe Interpol për sistemin Bitcoin. Veprat penale në këtë rast, sipas tij, lidhen edhe mos deklarimin e të ardhurave apo me vjedhje të energjisë elektrike.

Lexo edhe: Vrasja që zbuloi “Bitcoin” tek “5 Maji”, këto janë super pajisjet kompjuterike që u sekuestruan

“Në kodin penal, ky aktivitet nuk është i lejuar. Ka target grupe të interesit për ta futur në ndryshimet e radhës. Nuk janë as të ndaluara, as te lejuara.  Aparaturat duan shumë energji. Nuk paguhen, bëhen lidhje të paligjshme. Prandaj ka pasur specialistë të OSHEE në vendngjarje.”

Artan Dashi tha që ky është rasti i parë që behet mediatik porse janë zbuluar edhe 4-5 raste të tjera.

“Udhëzimet për të verifikuar nëse ka aktivitete te tilla në vendin tonë i marrim edhe nga jashtë vendit. Europol, Interpol na informojnë në mënyrë të vazhdueshme. Është një rritje normale e këtij aktiviteti në vendin tonë. Jemi të shqetësuar sepse lidhet me disa vepra penale, fshehje të ardhurash, vjedhje e energjisë elektrike.”

Sa i përket pajisjeve të sekuestruara, Artan Dashi tha se ato konsumojnë shumë energji elektrike dhe se porositen në atë që quhet “dark web” dhe më pas futen në vendin tonë në mënyrë të paligjshme.

Kujtojmë se lokali dhe godina në katin e dytë ku i gjetën pajisjet ishin marrë me qira nga autori i vrasjes Marius Dema. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!