Vrau motrat në Astir natën e Vitit të Ri, Apeli nuk ndryshon dënimin për Përparim Ademin

schedule13:44 - 11 Prill, 2023

schedule 13:44 - 11 Prill, 2023

Gjykata e Apelit këtë të martë ka konfirmuar vendimin burg për jetë për Përparim Ademin, vrasësin e dy motrave në Tiranë në vigjilje të Vitit të Ri të viti 2020.

59 vjeçari vrau ish të dashurën dhe motrën e saj Zhaneta Metani e Kristina Bardhi, me 31 dhjetor 2020 dhe disa herë ka kërkuar të fitojë lirinë me argumentin se vuan nga probleme mendore por kjo kërkesë është rrëzuar.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Astirit në banesën e motrave Metani e Bardhi, pasi Ademi kishte lidhje me të dyja, por më pas motrat natën e Krishtlindjeve ia kishin bërë të qartë se nuk donin të kishin më lidhje me të.

Duket se refuzimi i motrave ka qenë dhe shkaku që 59-vjeçari kishte filluar që të kishte hije dyshimi se Zhaneta e tradhtonte, duke bërë që pas pak ditësh të shkonte në banesë dhe ti vriste me kallashnikov dy motrat.

Njoftimi i plotë

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale P.A, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga nenet 79/c dhe 278/1 të Kodit Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e datës 31.12.2020, ku në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është marrë njoftimi se në Rrugën “Azem Meshi”, Unaza e Re “Astir”, Pallati “Ina 2004”, janë qëlluar me armë zjarri shtetaset me iniciale Zh.M dhe K.B (M) (motra ndërmjet tyre), për pasojë kanë gjetur vdekjen . Lidhur me ngjarjen e mësipërme është akuzuar i pandehuri me iniciale P.A.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 2028, datë 20.09.2022 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor te te pandehurit P.A per kryerjen e vepres penale te “Vrasja per shkak te marredhenieve familjare”, ne dem te viktimave Zh.M dhe K.B dhe ne baze te ketij neni 79/c i Kodit Penal denimin e tij me burgim te perjetsheëm.

2. Deklarimin fajtor te te pandehurit P.A per kryerjen e vepres penale te “Mbajtja pa leje dhe prodhimi I armeve, armeve shperthyese dhe I municionit” , parashikuar nga neni 278/1 I Kodit Penal dhe ne baze te ketij neni denimin e tij me 5 vjet burgim.

3. Ne aplikim te nenit 55 te K.Penal ne caktimin e nje denimi te vetem per disa vepra penale denimin e te pandehurit P.A me nje denim te vetem me burgim te perjetshem.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale P.A, i cili këkoi:

– Prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

– Në alternativë çeljen pjesërisht të shqyrtimit gjyqësor dhe caktimin e një grupi ekspertësh (në Gjykatën e Apelit), për të përcaktuar gjendjen mendore të të pandehurit dhe caktimin e masës mjekësore shtrim në spital psikiatrik.

Në përfundim të gjykimit, më datë 11.04.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Valdete Hoxha dhe anëtare znj. Vojsava Osmanj dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 2028, datë 20.09.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!