Gjykata e Korçës ka vendosur masën arrest shtëpie për 46 vjeçaren e cila akuzohet se 20 vite më parë ka mbytur foshnjën e saj vetëm 9 muajshë. Burime për ABC bëjnë me dije se për shkak të gjendjes shëndetësore të 46 vjeçares Irena Zeria, gjykata ka vendosur masën “arrest shtëpie”. Ndërkohë e akuzuar ka deklaruar para gjykatësve se foshnja i ka rënë nga duart nuk e ka mbytur.
“Mua më ka rënë nga dora nuk di detaje të ngjarjes dhe pse më akuzojnë për vrasje. Nuk mbaj mend si kam ikur nga spitali në Greqi dhe nuk mbaj mend si kam ardhur në Shqipëri“, ka thënë ajo.
Avokati ka deklaruar se nuk është marrë parasysh gjendja e saj shëndetësore. Sipas avokatit ajo ka qenë në Greqi edhe dy herë të tjera pas ngjarjes dhe nuk ka hasur probleme. “Ka qenë një seancë për marrjen në pyetje. Është dhënë masë sigurimi arrest me burg dhe sot është bërë verifikimi i kushteve. Arsyet kanë qenë shëndetësore për shkak të evidentimit dhe dokumentimit të plotë që prej vitesh vuan nga çrregullime bipolare që nuk janë marrë në konsideratë nga gjykata greke. Ka qenë i drejt vendimi procedurialisht por janë shumë gjëra që duhen vërtetuar. Gjyakat greke ka shkelur procedurat për shkak se nuk është njoftuar.
Procesi është i parregullt. Gjykata greke nuk ka vërtetuar përgjegjshmërinë e saj. Gjykata greke ka kërkuar edhe ekstradimin e saj. Këta elementë janë evidentuar sot dhe janë marrë nga gjykata në konsideratë. Jemi para një procesi kur ajo nuk mund të ketë përgjegjësi penale. Ngjarja përkon me vitin 1995. Procesi ka përfunduar në Greqi në vitin 2005. Ka një kërkesë për njohjen e vendimit të gjykatës së huaj të cilës i është hapur rruga nga ministria Jonë e Drejtësisë.
Ajo nuk kujton asgjë për ngjarjen. Nuk kujton as se si është larguar nga spitali në Greqi në vitin 1997. Ka shkuar dy herë në Greqi përmes Kapshticës dhe nuk ka hasur probleme çka e bën të dyshimtë procesin”, u shpreh avokati.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 1997, ku Gjykata greke e kishte dënuar me burg 46 vjeçaren, arrestimi i të cilës u bë një ditë më parë në Korçë. /abcnews.al