Ditën e sotme në “Abc-ja e mëngjesit” u diskutuan ngjarjet që kanë tronditur vendin tonë ditët e fundit. Të ftuar në studio ishin gazetarja Etleva Delia, ish drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj dhe në një lidhje me Skype, psikologia Rezarta Taçi. Hajdarmataj vuri theksin tek roli i policisë në parandalimin e vrasjeve ndërsa shprehu shqetësimin për ngjarjet që ndodhin për shkak të krimit të organizuar, ku sipas tij, policia ka dalë jashtë loje.
“Institucionet shqiptare nuk i përgjigjen nivelit të kriminalitetit. Plicia nuk po arrin të ketë një strategji të mirëfilltë t’i përgjigjet këtij niveli të kriminalitetit. Ka ngelur në ato nivele, me muhabete kafenesh. I ka të gjitha mundësitë, burimet njerëzore, resurset për t’ju përgjigjur këtij kapaciteti. Mos të harrojmë se në një farë mase, krimi i organizuar po ndikon tek politika, merr vendimmarrje. Nëse arrin që krimi të përcaktojë një drejtor policie të një qarku, ai qark në aspektin e punës është i neutralizuar.”, theksoi Hajdarmataj.
Gazetarja komentoi rolin e medias në dhënien e informacionit drejt publikut duke vënë theksin tek filtrimi i informacionit. Hajdarmataj shtoi se nuk ka një bashkëpunim mes institucioneve dhe vetë medias për të transmetuar tek publiku informacionin e duhur. Nga ana tjetër, psikologia theksoi se mungesa e sigurisë tek individi nga organet përkatëse shkakton sjelljet agresive tek individët, që mund të çojnë dhe në krim.
“Në momentin që kërkoj ndihmë jo gjithmonë përmbushet, është krijuar ky mentaliteti bëje mirë dhe bëje vetë. Në realitet, aktivizon tek njerëzit çështjen e klanit, ku forca individuale në momentin që shpërndahet në rrethin familjar, atëherë e zgjimin çështjen vetë. Kjo është e perceptuar dhe në formë komunitare.“, theksoi psikologia. /abcnews.al