Deputetët e opozitës në Komisionin e Sigurisë kanë ngritur shqetësimin në lidhje me ngjarjet kriminale të ndodhura ditët e fundit në vendin tonë që tronditën opinionin. Bëhet fjalë për vrasjen e biznesmenit Demir Backa në Fier dhe grabitjen e biznesmenit Nazmi Çungu në Fushë Krujë, duke e rrahur dhe vjedhur para kesh dhe sende me vlerë që kapin shifrën e mbi 100 mijë eurove. Deputeti Ferdinand Xhaferaj tha se “vaji i kandillit” shprehja me të cilën ministri Çuçi sinjalizoi largimin e Ardi Veliu, tregon përbuzje dhe arrogancë për çdo punonjës policie. Në mbledhje ku ishte i pranishëm dhe Çuçi, Xhaferaj tha se duhet të kërkojnë falje.
Diskutimet në Komisionin e Sigurisë:
Ferdinand Xhaferraj: Dy ngjarje të rënda në Fier e Fushë Krujë, familjarët u shprehën se s‘kanë besim te Policia. Drejtori i Policisë e ka filluar shumë keq, rrokadë qarkullimi drejtuesve të policisë. Ata ndëshkohen, promovohet apo shkarkohet për punë të dobët. “Vaji i kandilit“ tregon përçmim, përbuzje, arrogancë për çdo punonjës policie. Kërkoni ndjesë.
Bledi Çuçi: Nuk kam koment, pasi nuk ka lidhje me projektligjin.
Luan Baçi: Është vrarë një biznesmen, shërbimi policor nuk ka reaguar, madje në Fier flitet se ata janë fshehur teksa ishin prezent në një krim makabër. Është hetuar nga SHÇBA dhe cilat janë hetimet?
Ervin Salianji: Mospërgjigjia ndaj shqetësimeve të deputetëve tregon se Çuçi nuk e ka nën kontroll ministrinë. Është papërgjegjshmëri, pasi ska pasur asnjë qëndrim nga ministri apo Policia e Shtetit për ngjarje të tilla. Ka frikë ti përgjigjet shqetësimeve të opozitës.
Flamur Noka: Për vrasjet, opinioni pubik është tronditur. S’ka siguri dhe s’ka besim te strukturat e policisë. Policia është zhytur në krim, drogë e batak. Agjencia që ju doni të ngrini, mund të kriminalizohet për shkak të vullnetit politik siç u kriminalizua edhe SHÇBA. Qarkullimi i titullarëve, edhe pse kanë dosje sa një mal të përfshirë në krim, afera, trafik. Ata riciklohen nëpër disa drejtori. Ju ose keni rezauruar kapacitetet në polici ose kupola e saj është e inkriminuar dhe ju mundoheni të thoni “Ky është më pak e ai është më shumë“. Kjo është alarmante. Kupola e Policisë duhet shkrirë e riformatuar, pasi është e zhytur në batak. be.k/abcnews.al