Vrasjet e dy mafiozëve në Greqi, Xhonatan Pajo i dyshuar vetëm për zjarrvënie

schedule10:02 - 19 Janar, 2024

schedule 10:02 - 19 Janar, 2024

Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me zbulimin e një grupi vrasësish në Greqi, mes të cilëve edhe një 26 vjeçar nga Poshnja e Dimalit. Edhe pse Xhonatan Pajo ndodhet i arrestuar në Mal të Zi si i dyshuar se do të kryente vrasjen e një anëtari të një klani kriminal, në Greqi akuzohet vetëm për një episod, konkretisht një rast zjarrvënie, në totalin e krimeve që u zbuluan dy ditë më parë ngë policia greke. Kështu sipas dosjes hetimore, autorë të vrasjes së Janis Skaftouros, Vasilis Roumpetis dhe Dionisis Mouzakitis si dhe tre tentativa të tjera vrasje, janë pjesëtarë të tjerë të grupit prej 7 personash.

Ngjarja ku është përfshirë Pajo

Mbrëmjen e datës 16.6.2023, 9 autorë, të pajisur me armë luftarake, pistoleta dhe jelek antiplumb, të hipur në gjithsej tre automjete, zunë me një prej tyre hyrjen e oborrit të një magazine industriale dhe hynë brenda. Më pas ata bllokuan makinën e rojes dhe nën kërcënimin e armës, e prangosën teksa po shkonte brenda në magazinë. Aty u vunë flakën 23 makinerive për prodhimin e produkteve të duhanit, si dhe objekteve të tjera, për pasojë u shkatërruan pjesa më e madhe e pajisjeve mekanike. Dëmi që ata shkaktuan kap vlerën e 400 mijë eurove. Sulmuesit më pas i vunë flakën njërës prej automjeteve të tyre dhe u larguan me dy të tjerat.

Para se të niseshin, njërit prej dy automjeteve iu ndërruan targat. Mirëpo, pak kohë më pas, një nga automjetet e autorëve është përfshirë në një aksident trafiku dhe autorët janë detyruar ta braktisin atë. Në përpjekje për të gjetur një rrugëdalje, ata fillimisht janë futur në oborrin e një shtëpie dhe më pas në brendësi të saj dhe nën kërcënimin e armëve kanë kërkuar nga banorët të dorëzojnë çelësat e automjetit të tyre, i cili ishte i parkuar në vendngjarje.

Pasi banorët nuk kanë përmbushur kërkesat e tyre, autorët janë detyruar të largohen në këmbë nga vendi i ngjarjes. Gjatë kontrollit të kryer në brendësi të mjetit të braktisur nga autorët, u gjetën ndër të tjera një palë targa dhe një eksploziv i improvizuar. Më pas mjeti është transferuar në laboratorët e Drejtorisë së Hetimeve Kriminale.

Aty në sipërfaqen e mjetit u gjet një gjurmë gishti e 29-vjeçarit gjeorgjian, i cili është arratisur jashtë Greqisë, ndërsa në një objekt brenda makinës u gjet gjurmë gishti i 26-vjeçarit shqiptar Xhonatan Pajo. 29 vjecari gjeorgjian rezulton i përfshirë dhe në një tentativë vrasje të kryer nga grupi.

Pajo rezulton me precedentë penalë në Greqi për “vjedhje” ndërkohë që pas arrestimit të tij në Mal të Zi në tetor 2023, u njoftua zyrtarisht edhe policia shqiptare e cila mësohet se ka kryer kontroll në banesën e tij në Dimal.