Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 48-vjeçarin Landi Puja, i akuzuar për vrasjen me thikë të shtetasit Skerdilajd Isufaj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Kavajë.
Pas disa orësh kërkime dhe kontrolle në zonë, policia bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar pasditen e së shtunës. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti për një vend parkimi në lagjen nr. 3 të qytetit.
Viktima, Skerdilajd Isufaj, kishte shkuar për të vizituar një të afërm dhe kishte parkuar automjetin përpara banesës së 48-vjeçarit. Ky i fundit i ka kërkuar të largonte makinën, çka ka sjellë një debat mes tyre.
Sipas hetimeve, konflikti ka agravuar dhe Puja dyshohet se ka nxjerrë një mjet prerës, duke e goditur disa herë Isufajn. Si pasojë e plagëve të marra, 48-vjeçari ka ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i krimit, por është arrestuar disa orë më vonë. Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale thikën që dyshohet se është përdorur në krim.


