Është gjetur automjeti tjetër që dyshohet se është përdorur nga bashkë-autorët në ngjarjen e ndodhur më 26.04.2026, në vrasjen e çiftit Mujeci në fshatin Balldre në Lezhë.
Në njoftimin zyrtar Policia e Lezhës sqaron se gjatë kontrolleve të imtësishme në terren, në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore, në tokë arë, pranë një kanali, u gjet një automjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se është i përfshirë në dinamikën e ngjarjes dhe se është përdorur nga bashkautorët, të cilët kanë pasur rolin e vëzhguesve të lëvizjeve të viktimave.
Gjatë këqyrjes së tij, brenda automjetit u gjetën dokumentacione që u përkisnin autorëve të shpallur në kërkim.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike.
Ndërkohë, vijon kontrolli i zonave për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.


