Vrasja në Larushk/ Autorët i dinin lëvizjet e Gentjan Bejtjas, shkuan direkt pas shtëpisë dhe e qëlluan. Sekuestrohen kamerat e zonës

schedule11:17 - 16 Mars, 2024

schedule 11:17 - 16 Mars, 2024

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i Gentjan Bejtjas, që u ekzekutua pasditen e së premtes në shtëpinë e tij në Larushk. Gazetari i ABC News, Ervin Leka raporton se autorët kanë gjetur portën e hapur dhe kanë shkuar direkt pas shtëpisë së Bejtjas, ku ai po merrej me disa punë.

Dyshohet se tre nga autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi disa herë ndërsa autori tjetër i priste në makinë për t’u larguar me shpejtësi. Policia ka sekuestruar disa kamera të zonës për të parë dinamikën që kanë ndjekur autorët e vrasjes, të cilat kanë qenë të maskuar.

“Sipas informacioneve që kemi marrë, automjeti tip Land Rover me 4 persona brenda të pajisur me kallashnikovë kanë ardhur nga Fushë Kruja për në Larushk në rrugën nacionale që lidh Fushë-Krujën me Kamzën. Ata kanë hyrë në rrugicën që të çon në banesën e tij, e kanë gjetur portën e hapur. Nga automjeti kanë zbritur pak metra larg banesës. Tre prej autorëve janë afruar në pjesën e pasme të banesës ku ndodhej Bejtja që po merrej me punë shtëpie. Informacioni i autorëve ka qenë perfekt sepse kanë mundur ta gjejnë direkt në pjesën e pasme të banesës.”, raportoi gazetari.

Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur rreth 50 gëzhoja kallashnikovi, që sipas të dhënave paraprake, janë qëlluar nga tre kallashnikovë. Më pas, autorët kanë marrë drejtimin për nga fshati Hasan në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës vetëm disa kilometra larg vendit të ngjarjes ku edhe kanë djegur makinën.

Sipas hetuesve, dyshohet se aty janë pritur nga një tjetër automjet që i ka larguar nga vendi ku i kanë vendosur flakën automjetit te dyshuar se u përdor në krim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!