Vrasja në Fier/ Elton Javori dhe autori ishin miq, 35 vjeçari dyshohet se fshihet në rrethinat e Fierit. Pista që po hetohet

schedule11:26 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 11:26 - 8 Dhjetor, 2023

Detaje të reja bëhen të ditura lidhur me ngjarjen e ndodhur mesditën e së enjtes në Fier, ku mbeti i vrarë Elton Javori. 41 vjeçari sapo kishte dalë nga banesa e tij në lagjen 16 Prilli kur u qëllua me armë zjarri në qafë nga 35 vjeçari Agim Gashi. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.

Gazetarja e ABC News, Valbona Davidhi raportoi në një lidhje live se policia ka shtuar kontrollet nëpër të gjithë vendin për të bërë të mundur kapjen e autorit. Në kontroll të rreptë janë vënë edhe pikat kufitare. Siç raportoi gazetarja, dyshohet se autori i ngjarjes është fshehur në rrethinat e Fierit.

Gazetarja theksoi gjithashtu, duke cituar burime pranë policisë, se viktima dhe autori kanë qenë miq por për shkak të rrethanave ende të paqarta marrëdhënia e tyre është krisur. Ata kanë pasur një konflikt rreth dy vite më parë. Pas rikthimit të Javorit nga Gjermania, kanë pasur një tjetër debat mes tyre.

“Janë në monitorim të rreptë edhe pikat kufitare, nga ku mund të largohet 35 vjeçari. Duke qenë se kërkimi ishte i menjëhershëm, dyshohet se është strehuar në rrethinat e Fierit, dhe këtu është përqendruar kontrolli i autoriteteve duke kontrolluar edhe nëpër banesa në periferi. Sa i takon ekspertizën konfirmohet se viktima ka vdekur si pasojë e një plumbi në qafë. Është transportuar në spital por nuk ka mundur të jetojë. Është qëlluar dy herë dhe vetëm njëri prej plumbave ka prekur 41 vjeçarin. Mësohet gjithashtu motivin e ngjarjes, që është një konflikt personal mes viktimës dhe autorit, i cili mesa duket ka nisur dy vjet më parë. Nga burimet e policisë, mësohet se ata kanë qenë miq të ngushtë por marrëdhënia e tyre ka pësuar krisje dy vjet më parë për rrethana të paqarta. Të dyja familjet kanë pasur një marrëdhënie krushqie mes personave të afërt. Një martesë që mesa duket është prishur por ende nuk dihet kjo është bërë shkak për prishjen e marrëdhënieve që çoi më pas në një konflikt të disa ditëve më parë dhe me ekzekutimin e djeshëm.“, raportoi gazetarja Davidhi.

Javori kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri dhe se nuk kishte precendent penalë. Ndërsa autori i vrasjes njihet si përdorues droge por nuk është skeduar për precedentë të tjerë. Gazetari Ervin Leka raporton se Agim Gashi ka pritur pranë banesës Elton Javorin i cili njihej nga të gjithë me emrin Erjon.

Në momentin që ka dalë nga banesa Erjoni është qëlluar, në qafë ku ka ndërruar jetë disa minuta më pas. Konflikti ka ndodhur në Shqipëri dhe jo në Gjermani./abcnews.al