Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se po kryhen procedurat për ekstradimin e shpejtë nga Greqia të Gerald Shehut, autorit të vrasjes së Eraldo Nevruzit.
Gjatë një konference për mediat, Rrumbullaku u shpreh se policia ka dokumentuar me fakte dhe prova vrasjen. Rrumbullaku e cilësoi ngjarjen në Dhërmi një krim të rëndë.
“Më lejoni të falenderoj strukturat e Policisë së Shtetit, të angazhuara për dokumentimin, zbardhjen e vrasjes së ndodhur në Dhërmi. Në këtë aspekt, kemi pasur një koordinim shumë të mirë, edhe falë bashkëpunimit të mirë që kemi me partnerët grekë. Jemi në procedurat e ekstradimit të shpejtë të personit. Kemi dokumentuar me prova ligjore dhe shkencore gjithçka që ka të bëjë me ato mekanizma. Po shkojmë drejt finalizimit”, theksoi Rrumbullaku.
Trupi i recepsionistit Nevruzi është gjetur pranë përroit të Gjipesë në Vuno, në një zonë te quajtur edhe si gurore.
31-vjeçari Nevruzi u ekzekutua me armë zjarri nga Gerald Shehu, bashkëpronari i hotelit ku ai punonte si recepsionist.
Autori Gerald Shehu e ka qëlluar Nevruzin me dy plumba. Më pas, ai i ka kërkuar dy punonjësve të tij, Daniel Qose dhe David Larti një qese për ta vendosur trupin e pajetë në bagazhin e makinës.
Mendohet se autori dhe viktima janë konfliktuar me njëri-tjetrin ndërsa Gerald Shehu e ka qëlluar dy herë me arme zjarri tek shkallët e hotelit./abcnews.al