Gruaja e shqiptarit që vrau në Athinë një 45-vjeçare, me të cilën mendohet se ka pasur një lidhje intime, tha në dëshminë e saj në polici se burri i saj kishte ndryshuar sjellje gjatë dy viteve të fundit. Ai mungonte shpesh në shtëpi pa lënë adresë se ku ndodhej.
Përpara se të dilte nga shtëpia mëngjesin e së dielës, 48-vjeçari Altin Allmuça i la bashkëshortes 1000 euro. Më pas, ai shkoi në Nea Smyrni, ku vrau 45-vjeçaren dhe më pas vrau edhe veten.
Gruaja e tij i tha policisë se kishte frikë prej tij dhe ishte divorcuar së fundi për shkak të xhelozisë së tij.
Njëkohësisht, deklaratat nga familja e 45-vjeçares pritet të hedhin më shumë dritë mbi marrëdhënien e saj me 48-vjeçarin dhe veçanërisht mbi atë që i kishte paraprirë krimit.
Sipas informacioneve, viktima i ishte rrëfyer motrës së saj se ishte në një lidhje me një burrë, por nga i cili kishte vendosur të ndahej për shkak të xhelozisë së tij.
Natën e vrasjes, 45-vjeçarja ishte vetëm në shtëpi, ndërsa vajza e saj nuk ishte në Athinë, pasi kishte shkuar në Agrinio me xhaxhain.
Një element i rëndësishëm i hetimit janë edhe pamjet filmike nga kamerat e sigurisë në zonë, të cilat kanë regjistruar krimin. Altin Allmuça duket se e ka pritur 45-vjeçaren jashtë shtëpisë së saj. Kur ajo hapi derën dhe doli, ai e qëlloi dhe më pas e drejtoi nga vetja pistoletën që e mbante pa leje.
E kaluara e tij në Shqipëri po hetohet gjithashtu nga policia. 48-vjeçari kishte qenë me precedent penal në vendin e tij, pasi në vitin 2016 ishte arrestuar në Tiranë me akuzën e dhunimit të gruas së tij.


