Ndërkohë që katër personat e arrestuar në Shkodër si autorë të dyshuar të vrasjes me tritol të 67-vjeçarit Hysni Ymeri pritet të dalin të hënën para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë, hetimet kanë zbardhur detaje të reja mbi rolet e secilit prej tyre.
Sipas grupit hetimor, Gerti Bushati dyshohet se është paguar 1 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte viktima, më 27 dhjetor, dy ditë para shpërthimit të telekomanduar që i mori jetën Ymerit. Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Nuk dihet ende nëse atij i ishte premtuar pagesë shtesë.
Bushati u identifikua përmes kamerave të sigurisë së një biznesi pranë vendngjarjes të cilat e kanë fiksuar duke lëvizur në zonën e krimit dhe më pas duke ndërruar rrobat për të mos u zbuluar. 27-vjeçari I kishte veshur kominoshe mbi rrobat e zakonshme dhe pas vendosjes së tritolit, largohet nga zona, heq kominoshet dhe i hedh në anë të lumit. Veshja është sekuestruar nga policia.
Ditën e atentatit, në lagjen “Manush Alimani” hetimet tregojnë se në zonë ndodheshin edhe dy të arrestuarit e tjerë, Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Dyshimet më të forta janë se shpërthimi i telekomanduar është aktivizuar nga Ergys Ibrahimi, në momentin kur 67-vjeçari po ngjitej drejt banesës së tij.
Ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, por ky version u rrëzua nga OSHEE, e cila konfirmoi se nuk kishte pasur asnjë problem teknik.
Pas ngjarjes, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u mbajtën nën përgjim ambiental. Pa e ditur këtë, ata nisën të komunikonin mes tyre, duke forcuar dyshimet e hetuesve për bashkëpunimin në atentat.
Sipas policisë, asnjë nga të arrestuarit nuk ka pasur konflikt të drejtpërdrejtë me viktimën ndërkohë ende nuk është identifikuar porositësi i krimit dhe as motivi i vrasjes.
Katër të dyshuarit do të përballen të hënën me gjykatën për disa vepra të rënda penale, përfshirë:
“Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”
“Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim
“Prishja e qetësisë publike”
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të atentatit dhe për identifikimin e personave që qëndrojnë pas këtij krimi të rëndë.


