“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi. Thiken nuk e kasha me vete gjate mesimit, e kasha fshehur aty afer. Ne e lame për tu sqaruar se ai po me shikonte, nuk mendova se ngjarja do merrte përmasa të tilla”, kjo ka qenë deklarata e Mario Perlleshit, 14-vjeçari i cili vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij Martin Cani.
Burime nga grupi hetimor thanë për ABC News se sot është marrë dhe deklarata djalit, pasi të këshilluar edhe nga psikologët nuk është rekomanduar marrja gjatë në pyetje pasi është ende në gjendje të rënduar psikologjike.
I pyetur nese është penduar ai nuk ka pranuar të flasë, madje as per armen nuk ka dhene asnje detaj.
Zyrtarisht policia akuzon si vrasës së Martin Canit, Mario perlleshin teksa ky i fundit ka rrëfyer edhe konfliktin e së premtes nga ku mbeti i lënduar dhe në rrjetet sociale e paralajmëroi një përplasje tjetër madje publikoi edhe foto e video të thikës me të cilën kreu krimin.
Oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje edhe prindërit e autorit, ata të fundit janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni të konflikteve të djalit të tyre me viktimën.
14-vjeçari është ende i shtruar në një spital privat, ku po merr mjekim. I lënduar ndodhet edhe Luis Mecja, nxënës i shkollës në Sauk i cili u thirr nga viktima për ndihmë ditën e ngjarjes.
Konflikti mes adoleshentëve u regjistrua mesditën e 18 shtatorit rreth 300 metra larg shkollës Fan Noli, në Tiranë. Martin Cani ndërroi jetë në spital pak pasi u transportua ndërsa 2 adoleshentët e tjerë Luis Mecja dhe autori, Mario Perlleshi morën plagë të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al