Vrasja e studentes greke, Aleksandër Luca dhe shoku i tij grek burgosen përjetë

schedule16:59 - 15 Maj, 2020

schedule 16:59 - 15 Maj, 2020

Dy të rinjtë, njëri shqiptar dhe tjetri grek, që përdhunuan dhe i morën jetën studentes greke Eleni Topaloudi, janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Seanca e radhës për ngjarjen e rëndë u mbajt të mërkurën ndërsa të pandehurit ishin Aleksandër Luca dhe shoku i tij grek Manolis Koukouras 23 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ishullin Rodos të Greqisë në nëntor të vitit 2018.

Dënimi për dy të rinjtë u dha të premten ndërsa trupa gjykuese vendosi që ata të burgosen për jetë plus 15 vite shtesë për secilin për kryerjen e marrëdhënieve me forcë.

Prokurorja, Aristotelia Doga, më herët kishte refuzuar propozimin e mbrojtjes për të konsideruar faktorë lehtësues dhe kërkoi të njëjtën dënim për dy të pandehurit. Duke folur pas shpalljes së vendimit, Doga tha se rasti tregon se dy të rinjtë “nuk meritojnë asnjë faktor lehtësues”.

Trupi i Topaloudit u gjet në det nga rojet bregdetare më 28 nëntor. Lidhur me ngjarjen u akuzuan dy të rinjtë se kishin joshur Topaloudin në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku e dhunuan dhe e rrahën para se ta hidhnin trupin e saj në det. /abcnews.al/