EMRAT/ Vrasja e Shkëlzen Kastratit, identifikohen 4 autorët, pjesë e një grupi vrasësish me pagesë

schedule10:45 - 19 Shkurt, 2021

schedule 10:45 - 19 Shkurt, 2021

Katër persona të identifikuar si autorë të dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier, ngjarje e ndodhur më 1 shkurt të këtij viti, janë shpallur në kërkim nga policia. Uniformat blu bëjnë me dije se janë sekuestruar edhe dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Në kërkim janë shpallur Albert Zaja 37-vjeç dhe Elmir  Tufa, 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë, Elson  Xhecuka, 27 vjeç, banues në Kamzë dhe Silvio alias Roland  Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.

Burime bëjnë me dije për gazetaren Xhensila Kodra për ABC se ata janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë që e kanë ndjekur viktimën për afro dy muaj duke studiuar të gjitha lëvizjet e tij duke e qëlluar në një rrugë që nuk ka pasur kamera.

“Zbardhet dhe dokumentohet me prova vrasja e shtetasit Sh. K., ndodhur më datë 01 shkurt 2021, në Fier. Identifikohen dhe shpallen në kërkim 4 autorët e dyshuar të ngjarjes kriminale. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier, në koordinimin nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.

Mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit: A. Z., 37 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë; E. Xh., 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë; S. alias R. C., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale”, njofton policia.

Edhe pse ende nuk ka një pistë të saktë, mendohet që hasmëria dhe konfliktet e vjetra mund të kenë çuar në ekzekutimin e 42 vjeçarit, vetëm pak metra larg biznesit të tij dhe në një rrugë që e frekuentonte pothuajse përditë. Pas ngjarjes, autorët u larguan me një makinë tip “Range Rover”, e cila u gjet më pas e djegur në fshatin Daullas të Fierit. Policia ka gjetur brenda makinës një armë tip “Scorpion” me silenciator, e cila dyshohet se është përdorur për ekzekutimin e tij./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!