Kreu i Forcave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë (NBC), Igor Kirillov u vra disa javë më parë në një sulm me bombë në Moskë. Ai po dilte nga një bllok banimi kur bomba e fshehur në një skuter shpërtheu. Shpërthimi ishte rezultat i një operacioni të shërbimit të sigurisë të Ukrainës.
Por çfarë mesazhi përcillet me vrasjen e tij? Në emisionin “360 gradë” në ABC News, kapiteni Artur Meçollari, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi dhe eksperti i gjeopolitikës Kreshnik Osmani deklaruan se mesazhi është i qartë: Askush nuk është më i sigurt në Moskë.
Pjesë nga diskutimi:
Artur Meçollari: Deri tani janë konfirmuar 10 gjeneralë rusë të vrarë në tre vjet në luftën Ukrainë-Rusi dhe nga këta, vetëm 1 nuk është vrarë në fushën e luftimit që është Kirilov. Mesazhi është i qartë, kushdo do të ndëshkohet dhe askush nuk është i qetë dhe i sigurtë më në Moskë. Asnjë që ka kryer krime apo është i përfshirë si një objektiv i ligjshëm. Minus për shërbimet sekrete ruse. Shërbimet ruse kanë dështuar edhe herët e tjera, kanë edhe shumë mit në historinë e tyre të legjendave që tregohen.
Ledion Krisafi: Vrasja është goditje e jashtëzakonshme nga Ukraina. Kushdo mund të goditet. Nuk mendoj se kanë dështuar shërbimet ruse, por kanë një problem me ukrainasit, është që Ukraina e ka të lehtë të rekrutojë brenda Rusisë, dhe prandaj Rusia e ka të vështirë me ukrainasit. Populli që kanë përballë është i ngjashëm me rusët. Edhe vetë ukrainasit, e njohin mirë Rusinë.
Dritan Goxhaj: Ishte i vetmi nga të gjithë gjeneralët e luftës që ishte figurë publike, asnjë tjetër nuk ishte figurë publike. Ky ishte personi që shkaktonte më shumë dëm ndaj SHBA dhe Britanisë. Akuza e tij e fundit është se akuzonte ish drejtoreshën e CIA dhe drejtuesin e departamentit të shëndetësisë që kanë ndërhyrë për të ndaluar dhe penguar investigimin për përhapjen e koronavirusit.
Kreshnik Osmani: Mesazhi i parë se askush nuk është i sigurt brenda Rusisë, dhe është dëm goditës. Goditja e gjeneralit është bërë shumë pranë Kremlinit. Në këto ditë ka qenë tentativë e Orban për të krijuar paqe për rastin e Krishtlindjeve dhe ka dhënë sugjerim që të krijojnë armëpushim për Krishtlindje dhe shkëmbim robërish, ofertë që është refuzuar nga Zelensky dhe më pas nga Putin. Mesazhi i dytë që nuk ka ulje të intensitetit të luftës edhe me ardhjen e Trump dhe mos kini pritshmëri se Trump do të japë ndonjë gjë falas./abcnews.al