Vrasja e Santiago Malkos/ Zbardhet dëshmia e Ilir Selmanit: Jam dënuar pa prova, janë paguar para për…

schedule12:57 - 21 Shkurt, 2024

schedule 12:57 - 21 Shkurt, 2024

TIRANË- Ka dëshmuar në gjykatë këtë të mërkurë Ilir Selmani, i dënuar me 28 vite burg si pjesëmarrës në vrasjen e Santiago Malkos. Ai dëshmoi në procesin ndaj Leonard Dukës, Erlis Duka e të tjerë, të akuzuar për të njëjtën ngjarje.

Gjatë deklarimeve, Selmani u shpreh i bindur në pafajësinë e tij, duke pretenduar se është dënuar me prova të manipuluara nga zyrtarë të policisë.

“Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. E kam mësuar në televizion. Vëllezërit Duka i kam shokë të ngushtë. Kam shkuar për drekë ditën e ngjarjes në lokalin që ata kishin marrë me qera. Ishim 8-9 veta në tavolinë, Blendi Teta, Fatmir Hyseni, Erlis Myftari solli Bledin dhe iku. Më kërkoi  Erlis Duka që ta shoqëroja Blendi Tetën me makinë deri tek spitalet. Dëgjova diçka por nuk di nëse ishin krisma armësh apo jo. Më pas kur e mendova ngjarjen, e kuptova që ishin krisma. Pastaj mora makinën dhe kur shkova tek lokali, policia kishte rrethuar Erlisin dhe Leonardin. 4 ditë pas ngjarjes shikoi që janë 9 veta në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos (I drejtohet prokurorit): Çdo provë është e manipuluar nga dy oficer policie. Ju prokuror keni thënë nga deklarimet e Blendi Tetës se jam i përfshirë, por nuk keni asnjë provë. Nuk keni bërë asnjë hetim, keni marrë prova të manipuluara nga oficerët e policisë. Janë paguar para për të penguar. Kam material dhe pres provat, informacionin shkresor dhe tabulatet telefonike që provojnë se janë manipuluar hetimet”-tha ai.

Në gusht të 2019,  në zonën e “Xhamllikut”, u ekzekutua në makinën e tij tip “BMW X5”, Santiago Malko, ish-polic. Ai ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si “mbreti i lojërave” të fatit.

Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive. Malko ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasjeje me armë. Gjithashtu ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!