Vrasja e recepsionistit/ Kërkohet ndihma e policisë kufitare, dyshohet se trupi i Eraldo Nevruzit është hedhur në det

schedule10:16 - 7 Qershor, 2024

schedule 10:16 - 7 Qershor, 2024

Policia e Vlorës ka kërkuar ndihmën e policisë kufitare për të bërë kërkime në det, pasi dyshohet se trupi i 31-vjçarit Eraldo Nevruzit, recepsionistit të hotelit që u vra nga pronari Gerald Shehu, mund të jetë hedhur në det nga ky i fundit.

Gazetari i ABC News, Elton Nika raporton se kërkimet kanë vijuar edhe nga ajri me dron dhe nga toka.

“Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona të tjerë. Daniel Qose dhe David Larti të cilët ishin punonjës në hotel. Dy personat e kanë ndihmuar për ta futur në makinë. Kanë thënë që i ka dhënë ndihmë për ta mbështjellë në qese dhe për ta futur në makinë. Të dy shtetasit, autori dhe viktima, kanë pasur një konflikt para se autori ta qëllonte me dy plumba te shkallët e pallatit. Nga kamerat e sigurisë, autori i ngjarjes është parë rreth orës 04:00 në banesën e tij duke marrë rroba. Pistat mbeten, një grindje e çastit, por edhe një konflikt më përpara.

Nga Policia e Vlorës po vijojnë kërkimet e trupit të 31-vjeçarit. Kërkimet janë përqëndruar nga Dhërmiu deri në zonën e Himarës. Janë bërë kërkime me dron nga ajri, kërkime tokësore. Është kërkuar edhe ndihma e policisë kufitare për të bërë kërkime në det, pasi ka dyshime se trupi mund të jetë hedhur në det nga autori i ngjarjes”, raportoi ndër të tjera gazetari i ABC News, Elton Nika.

Autori Gerald Shehu e ka qëlluar Nevruzin me dy plumba. Më pas, ai i ka kërkuar dy punonjësve të tij, Daniel Qose dhe David Larti një qese për ta vendosur trupin e pajetë në bagazhin e makinës.

Mendohet se autori dhe viktima janë konfliktuar me njëri-tjetrin ndërsa Gerald Shehu e ka qëlluar dy herë me arme zjarri tek shkallët e hotelit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!