Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin, ku gjatë kryerjes së detyrës ka mbetur i vrarë efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, dhe ka mbetur i plagosur polici tjetër, Edison Adri. Pas këtij akti kriminal, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër duke e cilësuar ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.
Lamallari i shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Mekolli dhe kolegëve të viktimës, ndërsa i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur. Përmes një deklarate zyrtare, Ministri siguroi opinionin publik se autori i këtij krimi makabër nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë dhe do të përballet me të gjithë forcën e ligjit. Ai nënvizoi se kjo sakrificë e rëndë nuk do ta ndalë Policinë e Shtetit, por do ta forcojë atë në betejën e përditshme kundër krimit.
“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.
Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij.
Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund”, tha Lamallari.


