Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas arrestimit të kupolës drejtuese të policisë në Elbasan për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.
Basha ka publikuar një video, në të cilën tregon sesi drejtuesit e policisë në momentin që ndodhi ngjarja dhanë dëshmi të rreme. Ish-kryedemokrati shkruan ndër të tjera se sot, çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave.
Sipas Bashës, vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës, në atë që ai e quan masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ai thotë gjithashtu se para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht.
Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:
Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe prokurori i Elbasanit që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën.
Asnjë ushtar politik i sotëm apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima.
g.v/abcnews.al