Vrasja e Pjerin Xhuvanit në Elbasan/ Rindërtohet skena e krimit, përfundimet pritet t’i dorëzohen Gjykatës së Apelit

schedule12:10 - 27 Mars, 2024

schedule 12:10 - 27 Mars, 2024

Tre ekspertë, dy prej të cilëve të pavarur, rindërtuan skenën e krimit të ndodhur në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2021 në Elbasan, bazuar në një vendim të Gjykatës së Apelit.

Gazetarja e ABC News, Edisona Skënderi raporton se pas përfundimit, ekspertët u treguan të rezervuar në dhënien e informacioneve, por sipas disa burimeve jo zyrtare, është konfirmuar se ata nuk kanë gjetur detaje të reja.

“Ekspertët që prej orës 10:00 kanë riinskenuar skenën e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2021. Pavarësisht se kaluan dy orë, duket se nuk ka të reja, të paktën të bëra publike. Të pyetur, eskpertët janë treguar të rezervuar, por sipas burimeve jo zyrtare është konfirmuar se nuk ka të reja. Riinskeimi ka ardhur si kërkesë e avokatit mbrojtës të avkoatit të Arbër Paplekajt”, raportoi ndër të tjera gazetarja Skënderi.

Tre ekspertët që rindërtuan skenën e krimit janë Arjan Hanko, pranë Institutit të Policisë Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, ekspertë të pavarur.

Ekspertët duhet të përcaktonin drejtimin e qitjes së armëve ditën e ngjarjes, ku viktimë mbeti Pjerin Xhuvani.

Gjykata u kërkoi ekspertëve rindërtimin e skenës në vendin e ngjarjes, ndërsa Policia ka vendosur shiritat rrethues për t’i lënë ekspertëve hapësirë të punojnë.

Eksperimenti hetimor vjen pas kërkesave të Arbër Paplekaj, i cili kërkoi të caktohet këndi i qitjes jo vetëm prej tij, por edhe dy persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende pas kësaj ngjarjeje.

Paplekaj është i vetmi person që po përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjen, edhe pse është deklaruar se ka pasur një deformim të ngjarjes dhe përpjekje për të fshehur episode të saj, duke mos kryer një hetim të plotë.

Kjo është hera e dytë që u rindërtua ngjarja. Më herët, Prokuroria e Elbasanit rindërtoi ngjarjen në korrik të vitit 2022, por që duket se ka lënë dyshime mbi konkluzionet. Skena e krimit pritet të rindërtohet ditën e nesërme në orën 10:00./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!