Donald Zane, një nga personat që ka dëshmuar në gjyq për vrasjen e Pjerin Xhuvanit është vënë në pranga nga policia. Abc News mëson se Zane është arrestuar një ditë më parë në sallën e gjyqit pasi dyshohet se ka dhënë dëshmi të rremë.
Donald Zane është shok i ngushtë i Mehmet Grecës dhe ndodhej në të njëjtën makinë me të, kur Greca u ndalua nga Struktura e Mbrojtjes së Votës, grup i ngritur nga Partia Demokratike, ku bënte pjesë dhe i pandehuri Arbër Paplekaj. Kujtojmë se me herët është arrestuar dhe një tjetër dëshmitar.
Bëhet fjalë për Miles Kurtin, i cili akuzohet se ka dhënë deklarata kontradiktore me synim pengimin e hetimeve nga gjykata, ndaj është vendosur dhe masa e arrestit për të.
Si ndodhi vrasja?
Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve një punonjëse policie. Pas ngjarjes, në polici u vetë dorëzua si autor i krimit Arbër Paplekaj
Paplekaj ishte shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi. Paplekaj, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin./abcnews.al