Vrasja e Nikulaj, nis hakmarrja/ Viktima në Lezhë i afërt me organizatorin Haxhia. Autorët nuk lanë asnjë provë në vendngjarje

schedule15:03 - 20 Korrik, 2023

schedule 15:03 - 20 Korrik, 2023

Nikolin Lekstakaj, i njohur edhe me mbiemrin Marku, që u ekzekutua me breshëri plumbash pasditen e së mërkurës në Balldren të Lezhës ishte lidhje e afërt familjare me Edmond Haxhinë, i arrestuar në Britaninë e Madhe, i dyshuar si organizator në vrasjen e Ardian Nikulajt, 3 muaj më parë në Shëngjin.

Konfliktet mes këtyre dy fiseve janë të hershme, datojnë që nga viti 1996. Dhe pikërisht hakmarrja është pista kryesore që policia dhe prokuroria e Lezhës ka përqëndruar hetimet për zbardhjen e atentatit që i mori jetën 42 vjeçarit, baba i një fëmije.

ABC News mëson se babai i viktimës Nikolin Lekstakaj, me babain e Edmond Haxhisë, janë djem xhaxhallarësh. Pra, kushërinj të dytë. Ndërsa Edmond Haxhia është nip në fisin e Lekstakajve.

Të njëjtat burime, konfirmojnë se ata kanë jetuar prej vitesh në Angli. Madje, 42 vjeçari Nikolin Lekstakaj, ishte kthyer nga Anglia pak ditë më parë. Kjo u ka përforcuar dyshimet hetuesve se autorët i kanë vëzhguar më së miri lëvizjet e tij dhe se ka dyshime që vrasja e Lekstakajt të jetë organizuar ditët e fundit.
Në polici u shoqëruan 5 anëtarë nga fisi Nikulaj. Ata pretenduan para grupit hetimor se nuk kanë lidhej me vrasjen. Pas marrjes në pyetje, u lanë sërish të lirë.

Hetuesit kanë rindërtuar edhe një herë dinamikën e ngjarjes. Autorët, pasi janë informuar për lëvizjet e objektivit të tyre, kanë ardhur nga rruga nacionale e Lezhës drejt fshatit Balldren dhe kanë devijuar rrugën duke hyrë në sheshpushimin e marketit. Sapo Nikolin Lekstakaj doli i vetëm prej andej ku kishte blerë një pije freskuese, u qëllua me breshëri plumbash.

Menjëherë pas krimit, atentatorët u larguan në drejtim të Shkodrës. Në vendngjarje policia nuk sekuestroi gëzhoja, duke përforcuar dyshimet se autori qëlloi nga brenda mjetit. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar vetëm tipin e mjetit, por jo targën. Për ta zbuluar atë por edhe lëvizjet e autorëve, policia ka sekuestruar një sërë kamerash sigurie përgjatë gjithë zonës.

Policia ka dyshime se atentatori nuk ka vepruar i vetëm, por të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët mund të kenë vëzhguar lëvizjet e Lekstakaj sapo ai ka dalë nga banesa që ndodhej shumë pranë me marketin ku ndodhi edhe vrasja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!