Vrasja e Khashoggit, CIA fajëson princin e kurorës

schedule20:30 - 17 Nëntor, 2018

schedule 20:30 - 17 Nëntor, 2018

CIA ka fajësuar ka fajësuar princin saudit të kurorës për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. Agjencia Qendrore e Inteligjencës ka deklaruar se do të informojë presidentin Trump mbi konstatimet e saj, por kreu i shtetit ka lënë të kuptohet se marrëdhëniet me Arabinë Saudite janë më të rëndësishme.

Agjencia Qendrore e Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara ka arritur në përfundimin se urdhëri për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi u dha nga princi saudit i kurorës. Burime nga CIA kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se hetuesit kanë mbikëqyrur një seri provash në lidhje me pistën në fjalë. Edhe pse nuk mund të bëjnë akuza direkte, zyrtarët amerikanë janë të bindur se një operacion i tillë nuk mund të bëhej pa aprovimin e princit Mohamed Bin Salman. Nga ana e saj, Arabia Saudite ka hedhur poshtë deklaratat dhe ka insistuar sërish se princi i kurorës nuk ishte në dijeni të planit për vrasjen e gazetarit, për të cilën fajëson agjentë rebelë të shërbimeve sekrete.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka deklaruar se duhet ende të informohet nga CIA mbi konstatimet e saj. Por sikurse më parë, Trump e ka vënë theksin tek rëndësia që aleanca me Arabinë Saudite ka për Shtetet e Bashkuara. “Ata kanë luajtur një rol spektakolar për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Më duhet të marr shumë gjëra parasysh”, ka thënë Trump. Ndërkohë, gazeta “Washington Post”, për të cilën Kashogi punonte, ka bërë me dije se versioni i CIA-s bazohet pjesërisht në një telefonatë të bërë nga vëllai i princit të kurorës, Khalid Bin Salman, që është dhe ambasadori saudit në Shtetet e Bashkuara. Khalid i telefonoi Kashogit dhe me udhëzim të të vëllait i dha atij garanci se brenda konsullatës do të ishte i sigurt, ka shkruar gazeta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!