Vrasja e Khashoggi, Turqia u jep përgjimet vendeve europiane

schedule22:35 - 10 Nëntor, 2018

schedule 22:35 - 10 Nëntor, 2018

Turqia u ka ofruar vendeve europiane materialet audio që zotëron Ankaraja në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi. presidenti Erdogan ka deklaruar se, tani të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur.

Turqia u ka dhënë Gjermanisë, Francës dhe Britanisë regjistrimet në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Xhamal Kashogi. Lajmin e ka bërë të ditur të shtunën presidenti Recep Taip Erdogan, i cili ka deklaruar se në këtë mënyrë mund të ruhet presioni ndërkombëtar mbi Rijadin.

Vrasja e Kashogit shkaktoi indinjatë në mbarë botën, por reagimi i fuqive botërore ndaj Arabisë Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë dhe mbështetës i politikës anti-iraniane të Shteteve të Bashkuara, ka qenë i vakët. Në një deklaratë para nisjes për në Francë, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të fundit të Luftës së Parë Botërore, Erdogan bëri me dije se kjo është hera e parë që tre shtete europiane njihen me regjistrimet.

“Ne ua dhamë ato gjermanëve, francezëve dhe britanikëve. Natyrisht, ua kemi dhënë edhe Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite dhe të gjithë ata e dinë se ç’ka ndodhur”, tha Erdogan.

Erdogan nuk dha detaje të përmbajtjes së regjistrimit, por dy burime të informuara mbi hetimet thanë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se pala turke ka disa materiale audio. Ato përmbajnë vrasjen e gazetarit dhe bisedat që i paraprinë operacionit për ekzekutimin e tij, të cilin autoritetet në Ankara e zbuluan. Kjo ka shtyrë qeverinë turke të arrijë në përfundimin se vrasja e Kashogit ishte e organizuar dhe e urdhëruar nga nivelet e larta të qeverisë saudite./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!