Vrasja e Khashoggi, të dyshuarit do të gjykohen në Arabi

schedule22:08 - 27 Tetor, 2018

schedule 22:08 - 27 Tetor, 2018

Personat e dyshuar për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi do të gjykohen në Arabinë Saudite. Ka qenë kjo përgjigjia që mbretëria i ka dhënë Ankarasë zyrtare, që një ditë më parë kërkoi ekstradimin e 18 të dyshuarve.

Rijadi zyrtar ka deklaruar të shtunën se të dyshuarit për vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi do të gjykohen në Arabinë Saudite. Ka qenë ministri i Jashtëm, Adel al Xhubeir që ka hedhur poshtë kërkesën e bërë një ditë më parë nga Turqia, për ekstradimin e 18 personave. “Të dyshuarit janë shtetas sauditë, të arrestuar në Arabinë Saudite, të hetuar në Arabinë Saudite, ndaj dhe gjykimi i tyre do të bëhet në Arabinë Saudite”, tha Xhubier në konferencën e sigurisë të mbajtur në Bahrein. Në fjalën e tij, shefi i diplomacisë së mbretërisë akuzoi mediat perëndimore për “histeri”, lidhur me mënyrën e raportimit të vrasjes së gazetarit.

Veç përgjigjes negative të Rijadit, ajo çka pengon plotësimin e kërkesës së Ankarasë është fakti se mes Turqisë dhe Arabisë Saudite nuk ka një marrëveshje ekstradimi. Ndërkohë, Uashingtoni vijoi të shtunën me linjën e presioneve për të detyruar palën saudite të shpjegojë plotësisht rrethanat e vrasjes së Kashogit. Sekretari i Mbrojtjes, Xhim Metis deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta tolerojnë një përdorim të tillë dhune. “Dështimi i çdo vendi për të zbatuar normat ndërkombëtare dhe për të garantuar sundimin e ligjit minon stabilitetin rajonal, që aktualisht është më i nevojshëm se kurrë”, tha Metis. Pak ditë më parë, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që vendos embargon ndaj shitjes së armëve tek Arabia Saudite. Ndërkohë, Rusia ka deklaruar se varianti i dhënë deri më tani nga familja mbretërore duhet të besohet pasi nuk ka arsye për të bërë të kundërtën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!