Alban Bruçi për momentin nuk është i dyshuar për vrasjen e 57 vjeçarit Ismet Çekorja në Shkodër. Burime nga grupi hetimor konfirmuan për abc se pas marrjes në pyetje për ekzekutimin e Çekores, 25 vjecari Bruçi u la i lirë.
Të njëjtat burime thanë se aktualisht nuk ka asnjë provë që lidh, Bruçin me vrasjen e 57 vjeçarit dy ditë më parë në lagjen Guerile në Shkodër.
Mësohet se hetuesit janë përqëndruar tek aktiviteti i mëparshëm i viktimës dhe i djalit të tij, Bajram Çekores që është shpallur në kërkim, si autor i dyshuar i atentatit ndaj Alban Bruçit, ngjarje e ndodhur në 25 gusht në lagjen Partizani në Shkodër.
Bajram Çekorja është emër i njohur për policinë dhe është ndaluar edhe më herët për ngjarje të tjera kriminale.
I ati i tij, Ismet Çekorja u ekzekutua me 7 plumba pistolete pranë banesës së tij nga një person, që po lëvizte me motor. Ai nuk është identifikuar ende, pasi mbante skafandër.
/abcnews.al/