Vendimi për një çështje pronash i kushtoi jetën gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja.
Në krye të detyrës, gjyqtari u ekzekutua me armë zjarri pasditen e 6 tetorit, ndërsa ngjarja tronditëse ka autor 30-vjeçarin Elvis Shkëmbi.
Policia ka arrestuar edhe Gjon Shkambin, xhaxhain e autorit që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja. Ndërkaq, në pranga ka rënë edhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxha.
Gjon Shkambi akuzohet për vrasje në bashkëpunim, ndërsa roja i sigurisë për shpërdorim detyre.
Si pasojë e plagëve të marra, gjyqtari ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa të plagosur kanë mbetur babë e bir, Rakip e Ervis Kurtaj, palë në procesin gjyqësor.
ABC News ka mësuar se autori ka mundur të fusë armën e zjarrit duke e fshehur në xhupin e tij, ndihmuar edhe nga fakti se detektorët kishin disa kohë që nuk funksionin në gjykatën e apelit.
Ndërkohë, autoritetet kanë mundur të zbardhin itinerarin e lëvizjeve të autorit, të plagosurve dhe gjyqtarit.
Grupi i hetimit thotë se autori ka qenë brenda në sallë në seancën gjyqësore që ka nisur rreth orës 14:00 dhe në përfundim gjyqtari ka qenë duke dhënë vendim në favor të të plagosurve, dhe jo të tij.
Pas disa minutash gjyqtari ka dalë në korridor ku është qëlluar nga autori dhe menjëherë armën ia ka dhënë rojës së sigurisë së gjykatës.
Pas krimit, autori ka dalë tek dera e gjykatës, ku I ka konfirmuar patrullës se ishte ai autori i vrasjes duke thënë ndër të tjera se ka qenë i detyruar ta kryejë për shkak se i është bërë padrejtësi./abcnews.al

