Vrasja e gjeneral Soleimani, gjykata iraniane i kërkon SHBA-së rreth 50 miliardë dollarë dëmshpërblim

schedule12:26 - 6 Dhjetor, 2023

schedule 12:26 - 6 Dhjetor, 2023

Një gjykatë iraniane i ka kërkuar qeverisë amerikane të paguajë gati 50 miliardë dollarë dëmshpërblim për vrasjen e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në vitin 2020 në Irak.

Vendimi u mor gati katër vjet pas vdekjes së  gjeneralit më 4 janari 2020,i  cili u vra në një sulm me dron amerikan në Bagdad. Presidenti i SHBA Donald Trump tha në atë kohë se ai kishte urdhëruar sulmin në përgjigje të sulmeve kundër interesave amerikane në Irak.

Si hakmarrje, Teherani sulmoi me raketa bazat ku ushtarët amerikanë ishin të vendosur në Irak.

“Pas ankesës së paraqitur nga 3,318 bashkatdhetarë tanë nga i gjithë vendi, një gjykatë në Teheran dënoi qeverinë amerikane, duke i kërkuar të paguajë gjithsej 49 miliardë e 770 milionë dollarë për dëmshpërblim moral dhe material”, njoftoi gjykata iraniane.

Gjykata shpalli fajtorë 42 persona, përfshirë Trump dhe zyrtarë të administratës së tij, sipas të njëjtit burim. Vendimi vjen pasi Teherani akuzon Uashingtonin se është “bashkëpunëtor” i Izraelit në luftën e tij kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

SHBA, nga ana e saj, ka akuzuar Iranin për mbështetjen e organizatave që kryejnë sulme kundër trupave amerikane të vendosura në Irak dhe Siri. Qasem Soleimani ishte në krye të operacioneve ushtarake të Iranit në Lindjen e Mesme dhe është ende shumë popullor në Iran.

Irani dhe SHBA nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike që nga viti 1980, pas Revolucionit Islamik.

Në tetor, një gjykatë iraniane urdhëroi qeverinë amerikane të paguajë 420 milionë dollarë si kompensim për viktimat e një operacioni ushtarak të vitit 1980 për të liruar diplomatët e mbajtur peng në ambasadën amerikane në Teheran.

Përveç kësaj, në vitin 2016 Gjykata e Lartë e SHBA-së kishte kërkuar ngrirjen e aseteve iraniane në vend me qëllim kompensimin e viktimave të sulmeve që i atribuohen Iranit.

/abcnews.al